Trump telefonatë me Putinin, njofton se ranë dakord të fillojnë ‘negociatat’ për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Bota

Trump telefonatë me Putinin, njofton se ranë dakord të fillojnë ‘negociatat’ për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 18:39 Përditësuar në ora: 22:01 më 12.02.2025
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Telefonata Trump-Putin, BE reagon: Nuk ka vendim pa Ukrainën

Krerët e diplomacisë spanjolle, gjermane dhe franceze deklaruan sot në Paris se asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret pa Kievin dhe pa pjesëmarrjen e Evropës.

Reagimet erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se ka arritur marrëveshje me homologun e tij rus Vladimir Putin për fillimin e menjëhershëm të negociatave për Ukrainën.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot, paralajmëroi se nuk do të ketë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë pa pjesëmarrjen e evropianëve.

“Të braktisësh Ukrainën, të detyrosh Ukrainën të kapitullojë do të nënkuptojë vendosjen definitive të ligjit të më të fortëve dhe dërgimin e një ftese për të gjithë despotët dhe tiranët e planetit për të sulmuar fqinjin e tyre pa u ndëshkuar plotësisht”, tha ai.

Ndërsa ministrja gjermane Annalena Baerbock dhe homologu spanjoll José Manuel Albares Bueno pohuan se asnjë vendim nuk mund të merret pa Ukrainën.

“Nuk ka asnjë vendim për Ukrainën pa Ukrainën”, tha Baerbock, duke shtuar se Evropa duhet të mbetet e bashkuar.

"Ne po flasim për një vend sovran me një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike. Për më tepër, asgjë që prek sigurinë evropiane - dhe agresioni rus kundër Ukrainës kërcënon drejtpërdrejt sigurinë evropiane - nuk mund të vendoset pa Evropën. “Bota nuk është xhungël. Ne kemi një rend botëror të bazuar në Kartën e OKB-së që ka funksionuar që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore për të mirën e të gjithëve,” tha kreu i diplomacisë spanjolle.

Ministri polak Radoslaw Sikorski theksoi nevojën për të forcuar mbështetjen për Ukrainën dhe mbrojti për bashkëpunim të ngushtë transatlantik.

Deklarimet e ministrave vijnë përpara një takimi në Paris për mbrojtjen evropiane dhe Ukrainën, i cili bashkon Francën, Gjermaninë, Poloninë, Spanjën, Italinë, Britaninë e Madhe dhe Ukrainën. Takimi do të zhvillohet pasi Trump dhe Putin u dakorduan të nisin negociatat për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë menjëherë.

Trump telefonatë me Putinin, njofton se ranë dakord të fillojnë ‘negociatat’ për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

UASHINGTON – Presidenti Donald Trump diskutoi për luftën në Ukrainë të mërkurën në telefonata të veçanta me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, hapi i parë madhor diplomatik i presidentit amerikan për një luftë të cilën është zotuar se do ta ndalë.

“Secili folëm për fuqitë e vendeve tona dhe përfitimet e mëdha që do të kemi një ditë duke punuar së bashku”, deklaroi Presidenti Trump në një postim në rrjetet sociale, ku dha detaje për telefonatën që u realizua pas shkëmbimit të të burgosurve ndërmjet dy vendeve. “Por fillimisht, siç ramë dakord të dy, duam të ndalim vdekjet e miliona njerëzve që po ndodhin në luftën Rusi/Ukrainë”.

Presidenti republikan tha se udhëheqësit gjithashtu “ranë dakord që ekipet tona të fillojnë menjëherë negociatat”.

Presidenti Trump po ashtu zhvilloi një telefonatë të mërkurën me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pas bisedës me udhëheqësin ukrainas, Presidenti Trump tha: “Biseda shkoi shumë mirë. Ai, sikur edhe Presidenti Putin, duan të arrijnë PAQEN”.

Zyra e Presidentit Zelensky tha se Presidenti Trump dhe zoti Zelensky folën për rreth një orë, ndërkohë që Kremlini njoftoi që telefonata e Putinit me zotin Trump zgjati gati një orë e gjysmë.

“Kisha një bisedë kuptimplotë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Biseduam… për mundësitë për të arritur paqe, e diskutuam gatishmërinë tonë për të punuar së bashku… dhe kapacitetet teknologjike të Ukrainës… përfshirë dronet dhe industritë e avancuara”, shkroi Zelensky në platformën X.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk pranuan të sqarojnë nëse Ukraina do të jetë pjesëmarrëse në negociatat e Shteteve të Bashkuara me Rusinë.

Thirrja erdhi pas këmbimit të burgosurve, gjatë të cilit Rusia liroi mësuesin amerikan Marc Fogel nga Pensilvania, pas tre vitesh qëndrimi në burg nën akuzat për posedim droge. Alexander Vinnik, një kriminel i dënuar rus, po lirohet në këmbim të zotit Fogel nga Rusia, sipas burimeve në dijeni të marrëveshjes që folën me kusht të mos identifikoheshin.

Vinnik u arrestua në vitin 2017 në Greqi me kërkesën e autoriteteve amerikane nën akuzat për mashtrim me kriptovaluta. Ai më vonë u ekstradua në Shtetet e Bashkuara ku pranoi fajin për pjesëmarrje në komplot për pastrim parash. Ai për momentin ndodhet në burg në Kalifoni, duke pritur transportin për t’u kthyer në Rusi, sipas zyrtarëve.

Ndërkohë në Moskë, Kremlini po ashtu njoftoi për bisedën telefonike ndërmjet zotit Putin dhe Presidentit Trump. Sipas zyrtarëve rusë, dy udhëheqësit biseduan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ranë dakord për t’u takuar në të ardhmen dhe zoti Putin e ftoi Presidentin Trump në Moskë.

Presidenti Putin foli për herë të fundit me një president amerikan në shkurt të vitit 2022 kur pati edhe telefonatën me Presidentin Joe Biden pak pas të cilës urdhëroi futjen e mijëra trupave në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se zoti Putin dhe zoti Trump diskutuan mbi Lindjen e Mesme, marrëdhëniet dypalëshe, Ukrainën, këmbimin e të burgosurve ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass.

“Presidenti rus ftoi presidentin amerikan për vizitë në Moskë dhe u shpreh i gatshëm të presë zyrtarë amerikanë në Rusi në fushat e interesit të përbashkët, përfshirë, natyrisht, edhe çështjen mbi një zgjidhje për Ukrainën”, deklaroi zëdhënësi Peskov.

“Putini dhe Trumpi gjithashtu u pajtuan të vazhdojnë kontaktet personale, përfshirë aranzhimin e një takimi ballë për ballë”, tha ai.

Presidenti Trump, autor i librit të botuar në vitin 1987 “Trump: Arti i Marrëveshjes”, vazhdimisht ka deklaruar se dëshiron një përfundim të liftës dhe se ai do ta takonte Putinin për ta diskutuar atë, ndonëse data apo vendi i takimit ende nuk janë bërë të ditura.

Gjatë vitit të parë të luftës, Ukraina arriti t’i largonte forcat ruse nga lagjet përreth Kievit dhe rimori nën kontrollin e saj pjesë të mëdha të territorit të pushtuar nga Rusia.

Por Moska ka qenë në avantazh në fushëbetejë që nga kundërofensiva e dështuar e Ukrainës në vitin 2023, duke përparuar ngadalë por gradualisht në luftimet intensive që kanë shkaktuar vdekjen apo plagosjen e qindra mijëra ushtarëve nga dyjat palët dhe që ka shkatërruar qytetet ukrainase.

Rusia ka nën kontrollin e saj rreth një të pestën e Ukrainës dhe kërkon që Kievi të heqë dorë nga më shumë territore dhe që të deklarohet si pjesë e marrëveshjes paqësore si shtet neutral përgjithmonë. Ukraina kërkon që Rusia të tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe thotë se duhet të anëtarësohet në NATO apo t’i ofrohen garanci të ngjashme sigurie për ta parandaluar një sulm të sërish të Moskës.

Në diskutimet e fundit, Kievi duket se ka pranuar që nuk do të pranohet në NATO së shpejti dhe ka theksuar nevojë për përkrahje ushtarake si pjesë të një marrëveshjeje të paqes.

“Nëse Ukraina nuk është në NATO, do të thotë se Ukraina do ta ndërtojë NATO-n në territorin e saj. Prandaj na duhet një ushtri e madhe si ajo që ka Rusia sot”, deklaroi Zelensky në një intervistë për revistën ‘The Economist’, e cila u publikua të mërkurën.

“Dhe për këtë, ne na nevojiten armë dhe fonde. Dhe këto do t’ia kërkojmë Shteteve të Bashkuara”, tha ai, duke e përshkruar këtë si “planin B” të tij./Voa

Trump thotë se pati një telefonatë ‘të gjatë dhe produktive’ me Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka zhvilluar një telefonatë "të gjatë dhe jashtëzakonisht produktive" me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

"Diskutuam për Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë, inteligjencën artificiale, fuqinë e dollarit dhe çështje të ndryshme të tjera," tha Trump në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social.

"Ramë dakord të punojmë së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë vizitat në vendet e njëri-tjetrit. Po ashtu, kemi rënë dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë menjëherë negociatat, dhe ne do të fillojmë duke telefonuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, për ta informuar atë mbi bisedën tonë, gjë të cilën do ta bëj menjëherë tani", tha Trump.

Kremlini tha se Putini dhe Trump kishin biseduar për gati një orë e gjysmë në telefon dhe se të dy liderët kishin rënë dakord të takoheshin./Rel

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat