Izraeli ka marrë një dërgesë me bomba të rënda MK-84 nga Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti amerikan Donald Trump hoqi bllokimin e vendosur mbi eksportin e municioneve nga administrata e paraardhësit Joe Biden, tha të dielën ministria e Mbrojtjes.
MK-84 është një bombë 900 kilogramëshe, e cila mund të çajë betonin dhe metalin e trashë, duke krijuar një rreze të gjerë shpërthimi.
Administrata Biden refuzoi t’i lirojë ato për eksport në Izrael, për shkak të shqetësimit për ndikimin në zonat me popullsi të dendur të Rripit të Gazës.
Administrata Biden dërgoi mijëra bomba 900 kilogramëshe në Izrael pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga militantët palestinezë të Hamasit nga Gaza, por më vonë mbajti një nga dërgesat. Ndalimi u hoq nga Trump muajin e kaluar.
“Dërgesa e municioneve që mbërriti në Izrael sonte, e lëshuar nga administrata Trump, përfaqëson një pasuri të rëndësishme për Forcën Ajrore dhe IDF dhe shërben si dëshmi e mëtejshme e aleancës së fortë midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.
Dërgesa mbërriti pas ditësh shqetësimi nëse do të zbatohej një armëpushim i brishtë në Gaza, i rënë dakord muajin e kaluar, pasi të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të kushteve të marrëveshjes për ndalimin e luftimeve, për të lejuar shkëmbimin e pengjeve të mbajtura në Gaza për të burgosurit dhe të paraburgosurit palestinezë në burgjet izraelite.
Uashingtoni ka njoftuar ndihmë për Izraelin në vlerë miliarda dollarë që nga fillimi i luftës.