Zyrtarët e lartë rusë do të zhvillojnë bisedime me homologët amerikanë për rivendosjen e lidhjeve, negocimin e një zgjidhjeje paqësore të luftës në Ukrainë dhe përgatitjen e një takimi midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, tha Kremlini të hënën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe këshilltari i Putinit për punët e jashtme, Yuri Ushakov do të fluturojnë për në kryeqytetin saudit më vonë gjatë ditës për të marrë pjesë në bisedimet e caktuara për të martën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio do të kryesojë delegacionin amerikan. I dërguari i Trumpit, Steve Witkoff i tha Fox News të dielën se ai dhe këshilltari i sigurisë kombëtare Mike Waltz gjithashtu do të marrin pjesë në bisedime.
Peskov tha se bisedimet do të përqendrohen kryesisht në “rivendosjen e të gjithë kompleksit të marrëdhënieve SHBA-Rusi, si dhe përgatitjen e bisedimeve të mundshme për zgjidhjen e Ukrainës dhe organizimin e një takimi të dy presidentëve”.