Princi i kurorës saudite Mohammed bin Salman ka kërkuar që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të merr pjesë në takimin e sotëm historik mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Riad, por të dyja palët, si amerikanët dhe rusët insistuan që takimi të mbahet pa ukrainasit, shkruan Bloomberg, duke cituar një burim të njohur me situatën.
Burimi i Bloomberg tha se princi i kurorës donte të përfshinte Zelenskyn në bisedime, por Rusia dhe Shtetet e Bashkuara këmbëngulën se takimi duhet të mbahet pa Ukrainën.
Burimi vuri në dukje gjithashtu se sundimtari saudit planifikon të informojë presidentin ukrainas për rolin e Mbretërisë në organizimin e takimit dhe për bisedimet e tij me zyrtarët rusë dhe amerikanë.
Pas bisedimeve të sotme, Departamenti Amerikan i Shtetit raportoi se delegacionet amerikane dhe ruse ranë dakord të "heqin pengesat" në marrëdhëniet dypalëshe dhe të vazhdojnë përgatitjet për negociatat për luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Konkretisht, u ra dakord të caktohen "skuadra të nivelit të lartë" për negociatat për Ukrainën.
Kujtojmë, sot në Riad ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe këshilltari i Vladimir Putin për politikën e jashtme Yuri Ushakov, u takuan me delegacionin amerikan të përfaqësuar nga sekretari i Shtetit Marco Rubio, këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz dhe emisari special për Lindjen e Mesme Steve Witkoff.
Gazetarja e Fox News, Jacqui Heinrich raportoi se SHBA dhe Rusia po diskutojnë një plan paqeje trefazor për Ukrainën, i cili përfshin një armëpushim, zgjedhje në Ukrainë dhe në fund nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare.