4 parimet e një marrëveshjeje/ SHBA-Rusi, ora e shkrirjes së akujve

Bota

4 parimet e një marrëveshjeje/ SHBA-Rusi, ora e shkrirjes së akujve

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 16:08
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Kanë kaluar pothuajse tre vjet (ishte marsi i vitit 2022) që kur Joe Biden e quajti Vladimir Putinin ‘kasap’. Më pak se një javë pas telefonatës mes Donald Trumpit dhe liderit rus, samiti në Riad ka vulosur përfundimisht ndryshimin e kursit.

Në pritje që të takohen vetë Donald Trump dhe Vladimir Putin, ‘ndoshta deri në fund të muajit’, sipas manjatit, dje nga njëra anë e tryezës u gjendën Sekretari i Shtetit të SHBA, Marco Rubio, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, dhe i dërguari special, Steve Witkoff, i cili ka qenë tashmë protagonist i shkëmbimit të të burgosurve me Moskën, që shërbeu si prelud i shkrirjes së akujve; dhe nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili nuk është më një vagabond, si dhe këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov. Diçka e paimagjinueshme deri pak ditë më parë.

Më shumë sesa fillimi i një negociate të mirëfilltë për Ukrainën, takimi ishte zyrtarisht një hap i parë drejt rivendosjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, një hap që duket qartazi si pararendës për nisjen e bisedimeve të paqes për të dyja palët.

Uashingtoni dhe Moska nuk e dëshironin në këtë fazë praninë e Volodymyr Zelenskyt dhe as të Europës. “Askush nuk është lënë jashtë”, deklaroi Rubio. Dhe nëse ditët e fundit vetë Trump kishte siguruar pjesëmarrjen e Kievit në tryezën e bisedimeve, për të qetësuar Bashkimin Europian ndërhyri sërish Rubio: ‘Në një moment të caktuar do të jetë në tryezë, sepse ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.”

Një korrigjim kursi në krahasim me qëndrimin e të dërguarit presidencial për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg, i cili në Konferencën e Mynihut javën e kaluar kishte konfirmuar praninë e ardhshme të Kievit në tryezën e negociatave, por kishte përjashtuar atë të europianëve, duke përmendur marrëveshjen Minsk 2 të vitit 2015, e negociuar nga Gjermania dhe Franca me Rusinë dhe Ukrainën: “Ishin shumë njerëz në tryezë, por nuk funksionoi”.

Sipas Departamentit të Shtetit të SHBA, në samitin e Riadit u arritën katër marrëveshje kryesore:

Normalizimi i funksionimit të ambasadave përkatëse;

Emërimi i ekipeve për të negociuar ‘sa më shpejt të jetë e mundur’ përfundimin e luftës në një mënyrë ‘të qëndrueshme, të pranueshme dhe të dobishme për të gjitha palët’;

Hedhja e themeleve për një bashkëpunim të ardhshëm gjeopolitik dhe ekonomik pas përfundimit të konfliktit;

Angazhim për të siguruar që procesi i nisur të ecë përpara ‘në kohë dhe në mënyrë produktive’.

“Shtetet e Bashkuara kanë filluar të kuptojnë më mirë pozicionin tonë,” deklaroi Sergei Lavrov pas takimit. Pra, lufta shihet si një pengesë për normalizimin e një marrëdhënieje që, nga ana e administratës Trump, e sheh Rusinë – sipas fjalëve të zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt – si “një konkurrente dhe ndonjëherë një kundërshtare”, por jo një armike.

Ndërsa në Arabinë Saudite zhvillohej ky takim historik – takimi i fundit ballë për ballë mes amerikanëve dhe rusëve kishte ndodhur në nëntor të vitit 2022 në Ankara, me protagonistë kreun e CIA-s, Bill Burns, dhe homologun e tij rus, Sergey Naryshkin – në Amerikë, Fox News zbulonte se në fakt në Riad ishte diskutuar gjerësisht edhe për konturet e paqes që pritet të vijë.

Sipas burimeve të Fox, “korniza” e marrëveshjes do të përfshinte tre faza kryesore: një armëpushim; zhvillimin e zgjedhjeve në Ukrainë; firmosjen përfundimtare të një marrëveshjeje.

Kjo analizë u mohua menjëherë nga Sergei Lavrov: “Është një fake news,” deklaroi kreu i diplomacisë ruse, pasi ishte konsultuar me Marco Rubio dhe Mike Waltz. Megjithatë, Fox News këmbënguli, duke cituar “burime të shumta diplomatike të huaja”, sipas të cilave detyrimi i Ukrainës për të mbajtur zgjedhje të reja mund të jetë një pjesë thelbësore e marrëveshjes së paqes, pasi si Uashingtoni ashtu edhe Moska besojnë se Volodymyr Zelensky do të kishte shumë pak gjasa të rizgjidhej.

Ndërkohë, Trump tashmë është i fokusuar në takimin e tij të ardhshëm: atë me Vladimir Putinin. / Il Giornale – Bota.al

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat