Rutte: Garancitë e sigurisë për Ukrainën kërkojnë mbështetjen e SHBA-së

Bota

Rutte: Garancitë e sigurisë për Ukrainën kërkojnë mbështetjen e SHBA-së

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 18:10
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës në Sllovaki më 20 shkurt 2025.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha se çdo garanci evropiane e sigurisë për Ukrainën, nën një marrëveshje të mundshme të paqes me Rusinë, do të duhet të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

“Garancitë e forta të sigurisë, nëse ofrohen nga shtetet evropiane, kërkojnë mbështetjen nga SHBA-ja, jo me trupa në terren, por ne ende kemi nevojë për një mbështetje të përgjithshme nga SHBA-ja për t’u siguruar që atje të ketë parandalim”, tha Rutte gjatë vizitës në Sllovaki më 20 shkurt.

Mbështetësit evropianë të Kievit po tentojnë të krijojnë një plan, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, shmangu aleatët e Uashingtonit dhe nisi përpjekjet me Moskën për t’i dhënë fund luftës që ka nisur më 2022.

Britania ka thënë se mund të dislokojë trupa në Ukrainë nëse është e nevojshme që të sigurohet një paqe e qëndrueshme, por Londra ka insistuar se SHBA-ja do të duhet të ofrojë mbështetje.

A mund të arrijnë SHBA-ja dhe Rusia një marrëveshje pa Ukrainën?

Mediat britanike kanë raportuar se Britania dhe Franca po punojnë që të propozojnë dërgimin “një force sigurie” me 30.000 ushtarë në Ukrainë, nëse Uashingtoni do të angazhohej që të ofrojë mbulim ajror nga një vend fqinj.

Rutte nuk dha detaje mbi planet që po hartohen, por tha se SHBA-ja “ka disa aftësi të veçanta... të nevojshme për t’ua bërë të mundur shteteve evropiane që të ndihmojnë”.

Ukraina insiston se i duhen garanci në çdo marrëveshje, në mënyrë që të sigurohet që Rusia të mos jetë në gjendje ta sulmojë sërish.

“Është vitale që çdo marrëveshje që do të arrihet të sjellë një paqe të qëndrueshme dhe që Rusia mos të tentojë më kurrë të marrë nën kontroll asnjë kilometër katror të tokës ukrainase”, tha Rutte.

“Përderisa ka shumë gjëra për të cilat duhet të vendoset, nuk ka dyshim që Evropa ka një rol vital për të luajtur për të siguruar paqen në Ukrainë”.

Administrata e Trumpit e ka bërë të qartë se nuk planifikon të dërgojë trupa në Ukrainë, nën çfarëdo marrëveshje të paqes.

Në vend të kësaj, administrata amerikane ka thënë se Evropa duhet të bëjë pjesën e saj që çdo marrëveshje që do të arrihet nën ndërmjetësimin e Uashingtonit të zbatohet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat