I dërguari i Presidentit amerikan Donald Trump për konfliktin në Ukrainë, Keith Kellogg u takua të enjten në Kiev me Presidentin Volodymyr Zelensky.
Pas takimit dy zyrtarët e lartë pritej të mbanin një konferencë të përbashkët për shtyp, por pala ukrainase tha se amerikanët kërkuan që ajo të anulohej.
Duke iu referuar takimit, në një postim në median sociale zoti Zelenskiy tha se Ukraina ishte e gatshme të punonte me shpejt dhe pa u lodhur, për të arritur një marrëveshje të fortë dhe të dobishme mbi investimet dhe sigurinë, me Shtetet e Bashkuara.
“Ne duhet dhe mund të sigurojmë që paqja të jetë e fortë dhe e qëndrueshme – në mënyrë që Rusia të mos na sulmojë më ”, shkruante zoti Zelenskiy në rrjetin social X pas takimit me të dërguarin e SHBA-ve për Ukrainën dhe Rusinë.
I dërguari i zotit Trump për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg tha të mërkurën, përpara takimit me zotin Zelensky, se ai po shkonte në Kiev për të dëgjuar.
Presidenti Trump Donald Trump po kërkon një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë, ai kërkon gjithashtu të rivendosë lidhjet me Rusinë, si dhe të investojë në burimet minerare të Ukrainës.
Së fundmi Ukraina hodhi poshtë një plan fillestar të SHBA-së mbi mineralet, duke thënë se ai nuk përfshinte garanci sigurie për Kievin.
Por sot Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë Mike Waltz tha se se Ukraina duhet të ndalë kritikat ndaj Shteteve të Bashkuara dhe të pajtohet me marrëveshjen mbi mineralet.
“Ata duhet ta zbusin qëndrimin dhe ta nënshkruajnë marrëveshjen”, tha zoti Walts për rrjetin televiziv ‘Fox News’.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan ndërsa dy udhëheqësit, e SHBA-ve dhe Ukrainës, hodhën akuza në drejtim të njëri-tjetrit.
Edhe pse të mërkurën zoti Zelenskiy ofroi një ton pajtues gjatë një fjalimi drejtuar kombit, pasi e kishte akuzuar Presidentit Trump se po përsëriste dezinformatat ruse, tensionet vijuan të jetë të larta.
Presidenti Trump vazhdoi t'i referohej zotit Zelenskiy si një "diktator të pazgjedhur" që duhet të veprojë me shpejtësi ose rrezikon të humbasë Ukrainën.
Presidenti amerikan Trump po nxit arritjen sa më parë të një marrëveshje paqeje në Ukrainë, gjë gjë ka alarmuar aleatët evropianë të Uashingtonit, të cilët shprehën shqetësimin që u lanë jashtë bisedimeve fillestare me Rusinë.
Por Nënpresidenti JD Vance tha të enjten se ai besonte se fundi i konfliktit ishte afër dhe se lufta nuk mund të ndalohej pa biseduar me Rusinë./VOA