Sekretari Rubio nënvizon kërcënimin terrorist në rritje që ekziston në Afganistan

Bota

Sekretari Rubio nënvizon kërcënimin terrorist në rritje që ekziston në Afganistan

Më: 21 shkurt 2025 Në ora: 23:38
Marco Rubio

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha të enjten në mbrëmje se në Afganistanin e kontrolluar nga talebanët ka rajone të paqeverisura, që ofrojnë mundësi për grupet ekstremiste për të vepruar.

Komentet ai i bëri gjatë një interviste në rrjetin social X me ish-gazetaren e ‘CBS-it’ Catherine Herridge. Sekretari Rubio u pyet nëse ka informacione zbulimi që tregojnë se al-Kaida dhe Shteti Islamik kanë krijuar streha të sigurta në Afganistan, duke paraqitur një kërcënim të ngjashëm me atë që i parapriu sulmeve të 11 shtatorit 2001.

"Nuk do të thosha se është peizazhi i para 11 shtatorit, por mendoj se sa herë që ka hapësira për të cilat ka përplasje apo kur nuk ke një qeveri që ka kontroll të plotë të çdo pjese të territorit, kjo krijon mundësi për këto grupe", tha Sekretari Rubio.

"Dallimi mes asaj që ndodh sot dhe 10 vite më parë është se ne nuk kemi elementë amerikanë në terren për t'i patur ata si objektiv dhe për t'i goditur", vuri në dukje diplomati i lartë amerikan.

Sekretari Rubio shtoi se në disa raste talebanët kanë qenë bashkëpunues kur u është thënë se "ISIS-i apo al-Kaeda po vepron në këtë pjesë të vendit" e që t’u vihen pas. Por jo aq shumë në raste të tjera siç tha ai.

“Pra, ajo unë do të thoja se nuk do ta krahasoja (situatën) me atë para 11 shtatorit (2001), por sigurisht që është shumë më e pasigurt – dhe nuk mbetet vetëm në Afganistan”, tha zoti Rubio.

Talebanët nuk iu përgjigjën menjëherë komenteve të sekretarit amerikan të Shtetit, por ata vazhdimisht kanë pretenduar se kanë nën kontroll të gjithë vendin dhe kanë hedhur poshtë pohimet se në tokën afgane ndodhet ndonjë organizatë e huaj terroriste.

Komentet e Sekretarit Rubio vijnë vetëm disa ditë pasi Kombet e Bashkuara njoftuan se operativë të al-Kaidës vazhdonin të gjenin strehë në të gjithë Afganistanin, nën mbrojtjen e agjencisë së inteligjencës së talebanëve.

“Talibanët krijuan një mjedis që lejon Al-Kaedën të konsolidohet, me praninë e strehave të sigurta dhe kampeve për stërvitje të shpërndara në të gjithë Afganistanin”, thuhet në raport.

Në raport gjithashtu flitej dhe për një degë të Shtetit Islamik me bazë në Afganistan, Shteti Islamik-Khorasan, ose IS-K, si "kërcënimi më i madh terrorist ekstra-rajonal".

Në raportin e OKB-së theksohet se përveç sulmeve ndaj autoriteteve talebane dhe pakicave fetare afgane, mbështetësit e IS-K po kryejnë sulme deri në Evropë dhe se grupi "po kërkonte në mënyrë aktive të bëjë rekrutime nga shtetet e Azisë Qendrore", në kufi me Afganistanin.

Talibanët u rikthyen në pushtet në gusht 2021 kur qeveria e atëhershme afgane u rrëzua ndërsa të gjitha trupat aleate të NATO-s të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, u tërhoqën nga vendi pas një pranie prej rreth dy dekadash./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat