Një grup familjesh dhe fëmijësh nga Uzbekistani, Kina, Afganistani, Rusia dhe vende të tjera zbritën nga avioni, në kryeqytetin e Kosta Rikës të enjten, fluturimi i parë me në bord të dëbuar nga vende të tjera, të cilët Kosta Rika ka pranuar që t’i mbajë në qendra ndalimi ndërsa administrata e Presidentit Trump bën organizimet e nevojshme për t’i kthyer ata në vendet e origjinës.
Në avion gjendeshin 135 të dëbuar, shumica prej tyre minorenë. Me këtë fluturim, Kosta Rika i shtohet një liste në rritje të vendeve të Amerikës Latine që do të shërbejnë si një pikë ndalese për emigrantët, ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump kërkon të rrisë dëbimet.
Ndërsa Kosta Rika i bashkohet Panamasë në mbajtjen e të dëbuarve kryesisht me origjinë aziatike derisa të organizohet kthimi i tyre në atdhe, apo ata të kërkojnë mbrojtje diku tjetër, ditën e enjte Hondurasi lehtësoi dorëzimin e dëbuarve mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës nga një fluturim që vinte nga Gjiri i Guantanamos.
Emigrantët që mbërrijnë nga Kosta Rika do të transportohen me autobus në një qendër paraburgimi në kufi me Panamanë, ku do të mbahen deri në 6 javë dhe më pas do të kthehen me avion në vendet e origjinës, tha Omer Badilla, zëvendës Ministër për Punët e Brendshme dhe të Rendit. Shpenzimet do të mbulohen nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Ky proces është pjesë e marrëveshjes që administrata e Presidentit Donald Trump arriti me Kosta Rikën gjatë vizitës së Sektetarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, më herët gjatë këtij muaji. Marrëveshja ndodh ndërsa Presidenti Trump ka ushtruar trysni ndaj vendeve përgjatë rajonit që sipas rastit, të ndihmojnë lehtësimin e dëbimeve, ndryshe mund të përballen me tarifa të larta ose me sanksione.
Presidenti i Kosta Rikës, Rodrigo Chaves u tha gazetarëve të mërkurën se vendi i tij po ndihmon “aleatin e tij të fuqishëm ekonomik”.
Marrëveshje të ngjashme janë arritur me vende të tjera të Amerikës Latine, por ideja e përdorimit të vendeve në zhvillim si pikë ndalese për dëbimet ka nxitur kritika të forta nga grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Përtej kushteve që mbahen në Kosta Rika, shqetësimet lidhen me të drejtat ndërkombëtare të mbrojtjes së azilkërkuesve dhe nëse kërkesat e këtyre të dëbuarve do të përpunohen siç duhet përpara se ata të kthehen në shtetet e tyre ose të dërgohen në një vend tjetër.
Gjatë kësaj jave, Panamaja u bë vendi i parë që pranoi 299 të dëbuar nga vende të tjera, të cilët qeveria po i mban në dhoma hoteli që ruhen nga policia. Rreth 1/3 e tyre, që nuk pranuan të ktheheshin vullnetarisht në vendet e origjinës u dërguan të mërkurën në një kamp të largët në provincën Darien, në kufi me Kolumbinë.
Pjesa tjetër po presin organizimin e fluturimeve për t’u kthyer në atdhe.
“Ne përjashtuam mundësinë e hotelit, pikërisht për të shmangur një situatë të ngjashme me atë në Panama”, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press zyrtari i Kosta Rikës, Badilla.
Hondurasi njoftoi të enjten se ata gjithashtu kishin lejuar të shërbejnë si ndalesë për një aeroplan me shtetas të dëbuar të Venezuelës, nga Gjiri i Guantanamos, gjë që ata e përshkruan si “urë humanitare” meqë nuk ka fluturime direkte ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës.
Një aeroplan amerikan me 170 shtetas të Venezuelës fluturoi në bazën e përbashkët ushtarake të SHBA-ve dhe Hondurasit në pjesën qendrore të Hondurasit dhe brenda disa orëve ata u transferuan në një avion të Venezuelës. Një zyrtar nga Ministria e Jashtme e Hondurasit tha se nuk bëhej fjalë për një marrëveshje të rregullt, por se ky shtet i Amerikës Qendrore mbetet i hapur për të lehtësuar transferimin e të dëbuarve mes dy vendeve të armiqësuara mes vete.
Badilla tha se në fluturimin për riatdhesimin e të dëbuarve të enjten nga San Diego gjendeshin kryesisht familje, përfshirë 65 fëmijë, dy gra shtatëzëna dhe një grua e moshuar. Ai tha se Kosta Rika e ka njoftuar administratën e Presidentit Trump se shumica e të dëbuarve kishin rënë dakord që të ktheheshin vullnetarisht në vendet e tyre. Nëse ata refuzojnë, Kosta Rika është e hapur që t’u ofrojë të dëbuarve strehim apo do të punojë me Organizatën Botërore të Migrimit, IOM, për ta lehtësuar vendosjen e tyre në një vend të tretë.
"Kosta Rika është shtet që garanton të drejtat e njeriut”, tha ai. “Ne do të garantojmë që ata do të kthehen në shtete të sigurta. Nuk mund t’ia lëmë një gjë të tillë rastësisë për shkak të detyrimit etik dhe moral që ka vendi ynë”.
Ndërkohë, migrantët do të mbahen në një qendër kufitare, ku do të shoqërohen nga zyrtarët e OKB-së, Kryqit të Kuq dhe agjencive qeveritare të ndihmave për t’u “garantuar të drejtat e tyre”, sipas zotit Badilla. Qendra që po shfrytëzohet për të mbajtur migrantët, një fabrikë e dikurshme, është përballur me kritika në të kaluarën për shkak të kushteve aty.
Gjatë një vizite që agjencia e lajmeve AP zhvilloi në këtë qendër në tetor të vitit 2023, migrantët ishin të mbyllur në objekte të rrethuara me rrethoja, ku ata thanë se po ndiheshin si “të burgosur”. Shumë prej tyre flinin në dysheme, e cila sipas disa prej tyre, ishte e lagur nga ujërat që vinin nga tualetet portative.
Zoti Badilla tha se që atëherë objektet janë përmirësuar, por qeveria u ka ndaluar gazetarëve qasjen në to. Në këtë qendër do të kontrollohen edhe migrantët nga Venezuela, Kolumbia dhe Ekuadori, të cilët më herët kishin kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara dhe që tani dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.
Zoti Badilla tha se rreth 50 deri në 75 migrantë në ditë që janë nisur në drejtim të jugut kalojnë në Kosta Rikë në ditë.
IOM-i tha përmes një deklarate se “nuk është e angazhuar drejtpërdrejt në mbajtjen apo kufizimin e lëvizjes së individëve”, se po u ofronte ndihma humanitare, po mbështeste riatdhesimet vullnetare në vendet e tyre dhe se po bënte “identifikimin e alternativave të sigurta për të tjerët”./VOA