Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve në Gjermani, në të cilat partia e kancelarit Olaf Scholz pësoi humbjen më të madhe në historinë e saj të pasluftës, AfD-ja ekstreme u rendit e dyta dhe CSU/CDU doli fituese, por që nuk mund të formojë e vetme qeverinë e re.
Trump në rrjetin Truth Social ka përgëzuar gjermanët për zgjedhjet e sotme, duke thënë se ‘është një ditë e mrekullueshme për Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës’.
"Duket se partia konservatore në Gjermani ka fituar një zgjedhje shumë të rëndësishme dhe të shumëpritur. Ngjashëm me SHBA-në, populli i Gjermanisë është lodhur nga agjenda pa sens të përbashkët, veçanërisht për energjinë dhe emigracionin, që ka mbizotëruar për kaq shumë vjet. Kjo është një ditë e mrekullueshme për Gjermaninë dhe SHBA-në nën udhëheqjen e zotit Donald J. Trump. Urime të gjithëve."
Sipas rezultateve aktuale, Partia Liberal Demokratike (FDP) dhe Aleanca e sapo themeluar populiste e majtë Sahra Wagenknecht nuk e kalojnë pragun zgjedhor prej 5 për qind. Në këtë mënyrë CDU/CSU mund të krijojë koalicion me SPD-në, gjë që u spekulua vazhdimisht gjatë fushatës zgjedhore.
Në rast se FDP siguron hyrjen në Bundestag, është i mundur koalicioni CSU/CDU- SPD-FDP, por edhe koalicioni CSU/CDU-SPD-Të Gjelbërit.
Friedrich Merz ka theksuar në disa raste gjatë fushatës se bashkëpunimi me AfD-në ishte jashtë diskutimit.
Ai pas zgjedhjeve të sotme ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re, ndërsa kancelari aktual Olaf Scholz e pranoi humbjen e partisë së tij.