Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shkuar në Uashington për një takim të rëndësishëm me presidentin Donald Trump, takim që do të përqendrohet në marrëveshjen-kornizë për qasjen në mineralet e rralla të Ukrainës si një hap drejt përfundimit të luftës me Rusinë.
Takimi i rëndësishëm në kryeqytetin amerikan më 28 shkurt zhvillohet më pak se dhjetë ditë pasi Trumpi e quajti Zelenskyn diktator, si pjesë e një lufte fjalësh nga e cila janë tërhequr të dy udhëheqësit, teksa po përgatiten të takohen kokë më kokë.
Zelensky po synon që të forcojë mbështetjen e SHBA-së që i duhet për të zmbrapsur pushtimin e shtetit të tij të nisur nga Rusia, në kohën kur Trump, që mori mandatin muajin e kaluar, ka ndryshuar politikën e Shtëpisë së Bardhë duke i dhënë fund izolimit mbi trevjeçar që u nxit nga agresioni i paprovokuar i Kremlinit.
Trumpi e ka kritikuar Zelenskyn lidhur me menaxhimin e luftës dhe lufta me fjalë kulmoi më 19 shkurt, kur ai, përmes një postimi në rrjetet sociale, e quajti Zelenskyn “diktator” që po rrezikon ta humbë shtetin e tij.
Megjithatë, Trump duket se i minimizojë këto deklarata dhe gjatë konferencës të përbashkët për media me kryeministrin britanik, Keir Starmer, më 27 shkurt tha: “A e thashë unë këtë? Nuk mund ta besoj që e kam thënë”.
Ai po ashtu e përshkroi Zelenskyn si “shumë trim”, teksa u shpreh optimist për përfundimin e luftës.
“Po punojmë fuqishëm që lufta të përfundojë. Mendoj se kemi bërë shumë përparim dhe mendoj se po lëvizim shumë shpejt”, tha Trump.
“Do të përfundojë ose shumë shpejt ose nuk do të ndodhë fare”, shtoi ai, duke mos bërë deklarime të mëtejme.
Takimi vjen në javën kur ka pasur një diplomaci me ritëm të shpejtë mes Evropës dhe SHBA-së.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, u takua me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë më 27 shkurt në përpjekje për të përmirësuar raportet transatlantike që u dëmtuan për shkak të mospajtimeve lidhur me Ukrainën dhe tregtinë.
Starmer i bëri thirrje Trumpit që të garantojë sigurinë e Ukrainës në rast se do të arrihej një marrëveshje për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.
Trump, që mori detyrën një muaj më parë, ka vepruar me shpejtësi për të përfunduar luftën në Ukrainë, duke zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, më herët gjatë këtij muaji, dhe duke dërguar ekipin e tij të sigurisë kombëtare në Arabinë Saudite për t’u takuar me homologët e tij rusë.
Ndryshimi i qasjes së SHBA-së ndaj Rusisë ka befasuar udhëheqësit evropianë, të cilët druajnë se Trumpi mund të arrijë një marrëveshje pas shpinës së tyre që do të dëmtonte Ukrainën dhe do të dobësonte sigurinë e tyre kombëtare.
Tani, udhëheqësit evropianë po udhëtojnë drejt Uashingtonit, duke premtuar që të rrisin rolin e tyre në çdo marrëveshje, me qëllim që të largojnë presidentin amerikan nga një marrëveshje që, sipas shqetësimeve të tyre, mund të ketë shumë lëshime për Rusinë dhe që do t’i bënte ata më të cenueshëm.
Gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë, Starmer tha se shteti i tij është i gatshëm të kontribuojë me trupa në një forcë paqeruajtëse në Ukrainë, nëse do të arrihej një marrëveshje për luftën.
Ai po ashtu kërkoi që të bëhet kujdes që lufta të mos përfundojë me çdo kusht.
“Duhet ta bëjmë mirë. Duhet ta fitojmë paqen. Nuk mund të ketë paqe që e shpërblen agresorin. Historia duhet të jetë në anën e paqebërësit, e jo të pushtuesit”, tha Starmer.
Trump nuk ka bërë zotime që do të ofrojë siguri për një prani të trupave evropiane, që ishte kërkesa kryesore e Starmerit dhe e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili qëndroi në Uashington më 24 shkurt.
Mediat britanike thanë se Starmer po kërkon nga SHBA-ja garanci nga ajri, mbështetje të inteligjencës, logjistikës dhe komunikimit për një forcë paqeruajtëse evropiane.
Kur u pyet për garancitë e sigurisë të SHBA-së, Trump tha se është herët të flitet pasi ende nuk është arritur një marrëveshje armëpushimi. Para takimit me Starmerin, ai kishte deklaruar se ofrimi i sigurisë amerikane nuk do të ishte i nevojshëm, pasi Putinit mund t’i besohet se nuk do ta shkelte një marrëveshje të paqes.
Por, këtë mendim nuk e ndajnë udhëheqësit evropianë apo Zelensky. Gjatë konferencës për media me Trumpin, Macron tha se Putin ka shkelur marrëveshjet e mëhershme me Ukrainën, duke vënë në pah pse është e rëndësishme një parandalim i fuqishëm që do të bënte të nevojshëm ofrimin e sigurisë nga SHBA-ja.
Gjuhë më e butë
Në atë që shihet si sinjal pozitiv për Kievin, Trumpi dukshëm e zbuti gjuhën ndaj Ukrainës gjatë konferencës më 27 shkurt. Ai lavdëroi shtetin për mbrojtjen e tokës dhe shmangu kritikat ndaj Ukrainës apo Zelenskyt kur nga gazetarët.
Javën e kaluar, ai u përfshi në këmbim të akuzave me Zelenskyn, duke e akuzuar gabimisht Ukrainën për luftën dhe duke e cilësuar udhëheqësin ukrainas si “diktator” që nuk mban zgjedhje.
“Kam shumë respekt për të. I kemi dhënë shumë pajisje dhe shumë para, por ata po luftojnë me trimëri”, tha Trump.
Në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky do të nënshkruajë një marrëveshje-kornizë për zhvillimin e depozitave të mineraleve, përfshirë mineraleve të rralla të tokës dhe karburanteve fosile.
Trump ka thënë se marrëveshja do të lejojë SHBA-në që të rikuperojë disa nga paratë e dhënë si ndihmë për Ukrainën gjatë tre vjetëve të fundit dhe po ashtu do të stimulojë rritjen ekonomike ukrainase.
Gjatë takimit në Uashington, Zelensky po ashtu pritet t’i kërkojë Trumpit që të vazhdojë t’i dërgojë armë Ukrainës dhe pas përfundimit të luftimeve t’i ofrojë garanci të sigurisë./REL