Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe ai i Ukrainës, Volodymyr Zelensky po takohen në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar se si t'i japin fund luftës në Ukrainë.
Ata pritet të diskutojnë dhe potencialisht të nënshkruajnë një marrëveshje që do t'i jepte SHBA-së akses në mineralet e rralla të Ukrainës, por Zelensky dëshiron që të përfshihen garancitë e sigurisë, raporotn BBC.
Dyshja pritet të flasë shkurtimisht me mediat në Zyrën Ovale, përpara se të zhvillojnë një takim dhe një konferencë shtypi më vonë.
Bisedimet vijnë një javë pasi Zelensky tha se Trump "po jetonte në një hapësirë dezinformimi" të krijuar nga Rusia dhe presidenti amerikan akuzoi homologun e tij ukrainas si "diktator".
Trump nuk iu përgjigj pyetjeve të bërtitura nga gazetarët nëse të dy liderët do të nënshkruanin një marrëveshje sot, por teksa i shtrëngoi dorën Zelenskyt, Trump bëri shaka se lideri ukrainas është “i veshur i gjithi sot”.
Marrëveshja do t'i ofronte SHBA-së akses të lehtë në pasuritë minerale të pashfrytëzuara të Kievit në këmbim të investimeve dhe atë që Ukraina shpreson se do të ishin garanci konkrete sigurie. Detajet e marrëveshjes mbeten të paqarta, por analistët thonë se kjo mund të çojë në negociata më të gjera paqeje.
Vetëm disa ditë pasi e quajti presidentin e Ukrainës një diktator, Trump zbuti tonin e tij përpara takimit, duke u thënë gazetarëve të enjten: "Unë kam shumë respekt për të".
Trump u takua me presidentin francez Emmanuel Macron të hënën dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer të enjten, ndërsa liderët evropianë kërkuan të merrnin garanci sigurie për Ukrainën dhe u përpoqën të rreshtoheshin me Trump pasi u ndërprenë nga bisedimet SHBA-Rusi për përfundimin e luftës.