Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se beson që raportet me Shtëpinë e Bardhë mund të shpëtohet pavarësisht përplasjes së ashpër publike me presidentin Donald Trump, që pengoi bisedimet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Takimi me Trumpin më 28 shkurt përfundoi pas një shkëmbimi të ashpër në Zyrën Ovale, me Zelenskyn që u largua me shpejtësi dhe me Trumpin që tha se udhëheqësi ukrainas ishte i pasjellshëm dhe mund të kthehej në SHBA “kur të jetë gati për paqe”.
Zelensky, që gjatë kësaj fundjave do të takohet me udhëheqësit evropianë në Londër, u largua nga Shtëpia e Bardhë pa nënshkruar një marrëveshje për minerale me Trumpin, që kishte qenë në qendër të takimit dhe konferencës të përbashkët për media, e cila u anulua.
Në deklarimet e para publike disa orë pas përplasjes së ashpër, Zelensky tha për Fox News se ai e respekton Trumpin dhe “sigurisht” beson se raportet mund të përmirësohen, pasi Ukraina nuk dëshiron të humbë partnerin e saj.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, më vonë iu bashkua thirrjeve të administratës që Zelensky të kërkonte falje. Ai tha se udhëheqësi ukrainas e shndërroi takimin në Shtëpinë e Bardhë në një “fiasko”.
Ruboi tha për CNN se Zelensky duhet “të kërkojë falje që na e ka humbur kohën për një takim që do të përfundonte ashtu siç përfundoi”.
Zelensky, ndërkaq, gjatë intervistës për Fox News deklaroi se nuk ndiente se kishte diçka për të cilën do të duhej të kërkonte falje sa i përket takimit.
Ky zhvillim ka ngritur dyshimet për mbështetjen e ardhshme të SHBA-së për Ukrainën, shtet që po vazhdon të luftojë kundër pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Rusia.
Pas takimit, Trump shkroi në Truth Social se Zelensky “nuk është i gatshëm për paqe nëse Amerika është e përfshirë sepse ai ndien se përfshirja jonë i jep avantazh të madh në negociata. Unë nuk dua avantazh, unë dua paqe. Ai nuk e respektoi SHBA-në në Zyrën Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë i gatshëm për paqe”.
Zelensky tha për Fox News se do të jetë e vështirë për Ukrainën që t’i rezistojë ushtrisë së Kremlinit pa mbështetjen e SHBA-së, por ai tha se Kievi nuk do të hyjë në bisedime për paqe me Moskën derisa të pranojë garanci të sigurisë kundër një ofensive tjetër ushtarake ruse.
“Ukraina dëshiron paqe dhe ne do të kemi paqe”, tha ai, duke shtuar se kjo paqe duhet të jetë “paqe e drejtë dhe afatgjatë” dhe “ne duhet të kemi pozitë të fuqishme” në negociata.
Trump, gjatë komenteve të bëra për gazetarë teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë për në Florida, tha se Zelensky nuk dukej si një person që dëshiron paqe dhe “ia ka tepruar me kërkesat e tij” gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë.
“Dua një armëpushim tani...menjëherë”, tha Trump teksa u largua nga Shtëpia e Bardhë për në Florida.
Kur u pyet nëse po e shqyrton mundësinë që të ndërprerë ndihmën ushtarake për Ukrainën, Trump u përgjigj “nuk ka rëndësi se çfarë jam duke shqyrtuar unë”.
Gjatë takimit, Zelensky tha se nuk duhet të ketë kompromise “me një vrasës”, qartazi duke iu referuar presidentin rus, Vladimir Putin. Ndërkaq, Trump tha se Ukraina duhet të bëjë koncesione dhe Kievi duhet të jetë më mirënjohës për mbështetjen amerikane.
Gjatë takimit të tyre të parë në Zyrën Ovale që kur Trump mori mandatin e dytë në janar, udhëheqësit patën një këmbim me tone të larta para kamerave.
Trump tha se Zelensky nuk po tregohej mirënjohës, duke shtuar se po luante “bixhoz me jetën e miliona njerëzve”. “Po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore, dhe kjo që po bëni është shumë pa respekt ndaj shtetit që ju ka mbështetur shumë më shumë sesa njerëzit e thonë”.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë po vëzhgohej nga afër nëse SHBA-ja do të sinjalizonte se do të jepte ndonjë garanci të sigurisë për Kievin kundër agresionit rus si pjesë e ndonjë marrëveshjeje armëpushimi apo të paqes.
Udhëheqësit po ashtu ishte paraparë që të nënshkruanin një marrëveshje kornizë, që do t’i jepte qasje SHBA-së burimet minerale të Ukrainës. Para përplasjes, Zelensky u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai shpresonte se marrëveshja për minerale do të ishte një hap përpara për Ukrainën dhe se dëshironte që të diskutonte për detaje të tjera ame Trumpin se çfarë SHBA-ja është e gatshme të bëjë për shtetin e tij./REL