Në janar të vitit 1988, një nga inxhinierët më të lartë të pasurive bërthamore të Tajvanit u arratis në Shtetet e Bashkuara pasi shpërndau informacione të rëndësishme mbi një program sekret që do të ndryshonte kursin e historisë së Tajvanit.
Kolonel Chang Hsien-yi ishte një figurë udhëheqëse në projektin bërthamor të Tajvanit, një sekret i mbrojtur me kujdes midis viteve 1960 dhe 1980, ndërsa Taipeu po përpiqej të zhvillonte bombën e tij të parë bërthamore për t'u mbajtur në hap me Kinën.
Ai ishte gjithashtu një informator i CIA-s, shkruan CNN.
Chang ekspozoi programin sekret bërthamor të Tajvanit për Shtetet e Bashkuara, aleati i tij më i afërt, duke kaluar informacione që në fund çuan SHBA-në të ushtrojë presion mbi Tajvanin për të mbyllur programin – i cili sipas ekspertëve të përhapjes së armëve, ishte afër përfundimit.
Ndërsa kritikët thonë se ai tradhtoi atdhenë e tij dhe dobësoi aftësinë e Tajvanit për të frenuar një mundësi sulmi kinez, Chang i tha CNN në një intervistë të rrallë se ai ende beson se bëri zgjedhjen e duhur.
“Nuk ka asnjë tradhti”, i tha ai CNN nga shtëpia e tij në Idaho, ku u vendos me familjen.
“Vendosa të ofroj informacione për CIA-n sepse mendoj se ishte mirë për popullin e Tajvanit”, tha 81-vjeçari. “Po, kishte një luftë politike mes Kinës dhe Tajvanit, por zhvillimi i çdo lloji arme vdekjeprurëse ishte e pakuptimtë për mua”.
Historia e Chang-ut ka ngjashmëri me atë të Mordechai Vanunu, informatorit izraelit që e bëri të njohur programin bërthamor të vendit të tij për botën. Por ndërsa Vanunu bëri publike përparimin e vendit të tij, denoncimi i Chang-ut u bë në fshehtësi dhe pa asnjë bujë.