Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump dhe Ukraina planifikojnë të nënshkruajnë marrëveshjen shumë të debatuar për mineralet, pas një takimi katastrofik në Zyrën Ovale të premten, në të cilin presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u largua nga ndërtesa, thanë të martën katër persona të njohur me situatën.
Trump u ka thënë këshilltarëve se dëshiron ta shpallë arritjen e marrëveshjes sonte në fjalimin para Kongresit amerikan, thanë tre nga burimet, duke paralajmëruar se marrëveshja ende nuk është nënshkruar dhe situata mund të ndryshojë.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, raporton reuters.
Marrëveshja u pezullua të premten pas një takimi të tensionuar në Zyrën Ovale midis Trump dhe Zelenskyt, i cili rezultoi në largimin e shpejtë të liderit ukrainas nga Shtëpia e Bardhë. Zelensky kishte udhëtuar në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen.
Gjatë atij takimi, Trump dhe nënpresidenti JD Vance e qortuan Zelenskyn, duke i thënë se ai duhet ta falënderojë SHBA-në për mbështetjen, në vend që të kërkojë ndihmë shtesë para mediave amerikane.
Zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar biseda të reja gjatë ditëve të fundit me zyrtarët në Kiev për nënshkrimin e marrëveshjes për mineralet, pavarësisht shpërthimit të tensioneve të së premtes, dhe i kanë bërë thirrje këshilltarëve të Zelenskyt ta bindin atë të kërkojë falje publike ndaj Trumpit, sipas njërit prej burimeve të njohura me çështjen.
Të martën, Zelensky shkroi në platformën X se Ukraina ishte e gatshme të nënshkruante marrëveshjen, duke e quajtur takimin në Zyrën Ovale “për të ardhur keq”.
“Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë të premten, nuk shkoi ashtu siç duhej”, shkroi Zelensky dhe shtoi se “Ukraina është e gatshme të vijë sa më shpejt në tryezën e negociatave për të sjellë më pranë paqen e qëndrueshme”.
Nuk është e qartë nëse marrëveshja ka ndryshuar ndërsa ajo që duhej të nënshkruhej javën e kaluar nuk përfshinte garanci të drejtpërdrejta sigurie për Ukrainën, por i jepte SHBA-së qasje në të ardhurat nga burimet natyrore të Ukrainës. Ajo parashikonte gjithashtu që qeveria ukrainase të kontribuonte me 50 për qind të fitimeve të ardhshme nga çdo burim natyror shtetëror në një fond investimesh për rindërtim, i menaxhuar nga SHBA-ja dhe Ukraina.
Të hënën, Trump sinjalizoi se administrata e tij mbetet e hapur për nënshkrimin e marrëveshjes, duke u thënë gazetarëve se Ukraina “duhet të jetë më mirënjohëse”.
“Ky vend ka qëndruar pranë tyre në të mirë e në të keq. Ne u kemi dhënë atyre shumë më tepër sesa Evropa, dhe Evropa duhet t’u kishte dhënë më shumë sesa ne”, kishte pohuar Trump.