Pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit iu desh të mposhtnin një 17-vjeçar, i cili hipi në një avion me armë gjahu dhe municione në Australi.
Kjo ndodhi teksa avioni përgatitej të ngrihej nga aeroporti Avalon, afër Melburnit, përpara një fluturimi të nisur për në Sidnej të enjten pasdite, me rreth 160 persona.
Policia beson se adoleshenti hyri në pistën e aeroportit duke thyer një gardh sigurie, përpara se të ngjitej në shkallët e përparme të avionit.
Pamjet e publikuara nga gazeta australiane 7News treguan se i dyshuari po ndalohej nga një pasagjer, ndërsa një anëtar i ekuipazhit tokësor dhe një pilot hoqën një rrip shërbimi që përmbante mjete që i dyshuari mbante.