Në një situatë të zakonshme, zgjedhjet për Inatsisartut-in 31 anëtarësh, apo Parlamentin e Grenlandës, do të merrnin pak vëmendje. Ishulli më i madh në botë, me një popullsi prej vetëm 60.000 banorësh, ishte rrallë në lajme.
Por, kjo nisi të ndryshonte në janar të këtij viti, kur presidenti - atëkohë në ardhje - i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu interesim për të marrë kontrollin e këtij territori - me një pozitë strategjike dhe të pasur me burime.
Ky veprim shkaktoi valë tronditëse në të gjithë Evropën, veçanërisht për Danimarkën - aleate e NATO-s - së cilës, në fakt, i përket Grenlanda.
Ndaj, të gjithë sytë pritet të jenë tani në zgjedhjet e 11 marsit, që i thirri kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, pas deklaratës së Trumpit.
Çështjet e rregullta të brendshme janë pjesë e fushatës zgjedhore, por ajo kryesorja është e qartë: të bëhet me Amerikën, të mbetet me Danimarkën a të pavarësohet?
Shumica e grenlandezëve nuk duan të bëhen amerikanë dhe asnjë nga pesë partitë në parlament nuk e mbështet këtë.
Së bashku me kryeministren daneze, Mette Frederiksen, Egede e ka bërë të qartë se Grenlanda, e cila është një territor autonom në Mbretërinë e Danimarkës, nuk është në shitje dhe se vetëm grenlandezët mund të vendosin për të ardhmen e saj.
Parlamenti, së voni, ka miratuar edhe një ligj, që i ka ndaluar donacionet anonime dhe të huaja në fushatën zgjedhore.
Por, çka nëse u del përpara një ofertë që nuk mund ta refuzojnë?
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur për herë të parë interesim për ishullin në shekullin e 19-të dhe territori, në fakt, është më afër Amerikës së Veriut sesa kontinentit evropian. Siguria e tij, po ashtu, është e garantuar nga një baze ajrore amerikane në veri.
Dhe Arktiku, normalisht, nuk është jashtë ambicieve të fuqive të mëdha. Edhe Kina, edhe Rusia janë aktive në rajon, jo vetëm për materialet e rralla fitimprurëse të tokës së rajonit, por edhe për shkak të temperaturave më të ngrohta që janë duke e shkrirë akullin e detit dhe duke hapur rrugë tregtare fitimprurëse.
Edhe nëse ishulli nuk do të bëhet amerikan së shpejti, mund të ketë një lloj marrëveshjeje të tregtisë së lirë ose asociimit me Uashingtonin.
Megjithatë, grenlandezët mund të jenë edhe një grup konservator. Aty ku të tjerët mund të shohin mundësi fitimprurëse biznesi, shumë prej tyre shohin një atdhe që duhet mbrojtur.
Aktualisht, ekzistojnë vetëm dy miniera në Grenlandë, dhe zgjedhjet e fundit, më 2021, janë dominuar nga vendimi popullor për të kufizuar kërkimet e naftës dhe gazit dhe për të ndaluar minierat e uraniumit.
Dhe pikërisht këtu, Danimarka del në pah. Tri nga pesë partitë politike duan pavarësi nga Danimarka, përfshirë partinë e majtë Komuniteti i Popullit, të kryeministrit Egede. Kjo parti ka përfunduar e para katër vjet më parë dhe ka të ngjarë të përfundojë përsëri në krye.
E njëjta gjë vlen edhe për partnerin aktual të koalicionit në pushtet, Partinë Social-demokrate Përpara, e cila synon të përfundojë e dyta.
Partia Demokratike Liberale, e cila preferon të mbetet me Danimarkën, është gjithashtu mirë në sondazhe dhe, kështu, mund të komplikojë çdo ndërtim koalicioni, apo edhe drejtimin që do të marrë përfundimisht Grenlanda.
Ndërsa shumica e grenlandezëve thonë se duan pavarësinë, ata duan t’i ruajnë edhe standardet e tyre të jetesës. Për këtë, territori është i varur kryesisht nga Danimarka.
Besnike ndaj monedhës daneze që nga viti 1814, 50 për qind e eksporteve të Grenlandës shkojnë në Danimarkë dhe 60 për qind e importeve të saj janë nga Danimarka.
Gjysma e popullsisë punon në sektorin publik, të cilin Kopenhaga, në një masë të madhe, e financon me grante.
Dhe, për të rritur sigurinë rreth ishullit, Qeveria daneze ka premtuar muajin e kaluar 2 miliardë euro për të përmirësuar mbrojtjen në Arktik.
Në Grenlandë ekziston një komision që punon për atë se si do të dukej ndarja e mundshme nga Danimarka dhe, në thelb, ajo do të kërkonte tre hapa.
Së pari, do të duhej të kishte një marrëveshje me Kopenhagën se si do të dukej ndarja; së dyti, do të duhej të kishte një rezultat pozitiv në një referendum për pavarësinë dhe, së treti, Parlamenti danez do të duhej t’i jepte dritën jeshile gjithë përpjekjes.
Partitë pro pavarësisë duan që referendumi të zhvillohet diku gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar, por, duke pasur parasysh paqartësitë që rrethojnë territorin, sigurisht që nuk pritet të ndodhë në vitin 2025./REL