Ukraina tha se është pajtuar me propozimin e Shteteve të Bashkuara për një armëpushim 30-ditor në luftën me Rusinë, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar pas bisedimeve mes delegacionit amerikan dhe ukrainas në Xhedah të Arabisë Saudite më 11 mars.
“Ukraina ka shprehur gatishmërinë që të pranojë propozimin e SHBA-së për të zbatuar menjëherë një armëpushim të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me pëlqimin e ndërsjellë të palëve, me kusht që të pranohet dhe të zbatohet njëkohësisht nga Federata Ruse. Shtetet e Bashkuara do t’i përcjellin Rusisë se reciprociteti nga ana e saj është çelësi për arritjen e paqes”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Presidenca ukrainase.
Në njoftim po ashtu thuhet se SHBA-ja “menjëherë do të heqë dorë nga pezullimi i ndarjes së informacioneve të inteligjencës dhe do të rinisë ndihmën ushtarake për Ukrainën”.
“Delegacionet po ashtu diskutuan për rëndësinë e përpjekjeve humanitare si pjesë e procesit të paqes, veçanërisht gjatë armëpushimit të lartpërmendur, përfshirë këmbimin e të burgosurve të luftës, lirimin e civilëve të arrestuar dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të zhvendosur me forcë”, u tha në deklaratë.
Delegacionet ukrainase dhe amerikane po ashtu u pajtuan që të përcaktojnë përbërjen e ekipeve negociuese “dhe menjëherë të nisin negociatat për arritjen e paqes të qëndrueshme që do të ofronte siguri afatgjatë për Ukrainën”.
SHBA-ja është zotuar se do të diskutojë për këtë propozim me përfaqësuesit e Rusisë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tani tha se gjatë takimit të 11 marsit u ndërmorën hapa drejt paqes, duke thënë se tani i takon Rusisë që të ketë një qasje të njëjtë.
"Para se të negocioni, duhet të ndalni të shtënat. Ukrainasit u pajtuan për këtë gjë. Shpresojmë që edhe rusët të thonë po, në mënyrë që t'i japin fund luftës në një mënyrë që është e pranueshme për të dyja palët".
Ai tha se një "jo" e Rusisë, do të përbënte pengesë, do të nënkuptonte një dialog pa mbarim, duke theksuar se "na duhen negociata kuptimplota".
Ndërkaq, këshilltari për siguri kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Mike Waltz, tha se gjatë takimit Ukraina bëri hapa konkretë dhe ofroi propozime konkrete.
Ai tha se do të bisedojë me homologët e tij rusë në ditët në vijim, ndërkaq kryediplomati Rubio do të bisedojë me ministrat e Jashtëm të G7-ës.
Në Xhedah, palët diskutuan për orë të tëra prapa dyerve të mbyllura. Përveç diskutimeve për përfundimin e luftës, Kievi po synon që të përmirësojë raportet me Uashingtonin dhe rinisjen e dërgesave me armë amerikane.
Bisedimet u zhvilluan pas raportimeve se të paktën tre persona u vranë dhe 18 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve masive me dronë në 10 rajone të Rusisë.
Mbrojtja ajrore ruse ka thënë se i ka rrëzuar 337 dronë ukrainas përgjatë natës.
Shefi i stafit në presidencën ukrainase, Andriy Yermak, udhëheqës i delegacionit ukrainas, më herët tha se kishte përparim në negociata, teksa palët bënë një pauzë të shkurtër.
Në nisje të takimit, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio u pa i buzëqeshur para mediave, por jo edhe zyrtarët ukrainas që ishin ulur në anën tjetër të tavolinës, për të nisur takimin që po zhvillohet në një hotel luksoz.
Sekretari Rubio, i cili udhëhoqi delegacionin amerikan, para nisjes së bisedimeve ka thënë se bisedimet do të fokusohen rreth asaj se çfarë do të jetë në gjendje të pranojë Ukraina në tekstin e marrëveshjes, dhe që ky shtet duhet të bëjë koncesione për territorin që veçse e ka pushtuar Rusia.
“Gjëja më e rëndësishme është që duhet të largohemi nga këtu me ndjesinë që Ukraina është e përgatitur për të bërë gjëra të vështira, ashtu sikurse rusët, që duhet të bëjnë punë të vështirë për t’i dhënë fund konfliktit, apo për ta pauzuar për një kohë, në ndonjë formë dhe mënyrë”, u ka thënë Rubio gazetarëve më 10 mars, në rrugë për në Xhedah.
Udhëheqësi i delegacionit ukrainas, Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “mbrojtja e interesave ukrainase” dhe një “vizion i qartë për dhënie fund të luftës” janë në agjendën e Kievit për bisedimet njëditore.
“Një armëpushim për luftën trevjeçare të Federatës Ruse në shtetin tim, nuk është dukur kurrë më afër”, ka thënë Yermak në një kolumnë të publikuar në të përditshmen Guardian, në ditën e takimit.
“Armëpushimi në Ukrainë nuk do të ndodhë vetëm përmes përpjekjeve diplomatike”, ka thënë ai.
“Këtu përfshihet rritja e presionit politik dhe financiar ndaj Rusisë, për të rritur koston në rast të rikthimit të konfliktit”.
Para takimit në Arabinë Saudite, Rubio ka refuzuar që të deklarojë se si mund të duket një marrëveshje përfundimtare, ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka dhënë hollësi nëse në Xhedah do të diskutohet për nënshkrim të marrëveshjes për minerale, apo për çështje të inteligjencës.
“Mënyra e vetme si përfundon kjo luftë është nëse Rusia dhe Ukraina ulen në tavolinën negociuese dhe të dyja marrin vendime të vështira”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Pjesëmarrja në negociata do të jetë e dukshme nëse të dyja palët janë serioze për paqe”.
Këto bisedime reflektojnë përpjekje të reja diplomatike për përfundim të luftës, pas një diskutimi të ashpër dhe të pashembullt mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenky me presidentin amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Zyrtarët ukrainas u kanë thënë mediave të hënën se do të propozojnë armëpushim që mbulon Detin e Zi, që do të siguronte lëvizje të sigurt të anijeve, do të ndalonte përdorimin e raketave me rreze të gjatë, të cilat kanë goditur civilët në Ukrainë, si dhe për lirimin e të burgosurve.