Vjen goditja e parë në luftën tregtare transatlantike

Bota

Vjen goditja e parë në luftën tregtare transatlantike

Më: 13 mars 2025 Në ora: 07:30
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Goditja e parë në një luftë tregtare transatlantike ka ndodhur më 12 mars, duke e hapur edhe një fort tjetër mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas qëndrimeve të tyre plotësisht të kundërta për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe për arkitekturën e sigurisë së kontinentit.

Qysh nga fillimi i shkurtit ka qenë e ditur se Uashingtoni do të vendoste tarifë prej 25 për qind ndaj importeve të aluminit dhe çelikut nga Bashkimi Evropian, duke nisur nga 12 marsi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është kritik i zëshëm i deficitit tregtar në mallra – dhe jo vetëm me Evropën – dhe beson se vendosja e tarifave është një mënyrë për t’i rikthyer investimet dhe vende e punës në Amerikë.

Brukseli ka qenë duke u përgatitur për këtë prej se Trumpi u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, prandaj edhe vendosi menjëherë më 12 mars kundërmasa ndaj Uashingtonit.

Tarifat e SHBA-së prekin tregtinë në vlerë 25.6 miliardë euro, ndërsa Bashkimi Evropian u përgjigj me një paketë masash në vlerë të përgjithshme prej 26 miliardë eurosh ndaj mallrave amerikane, të cilat do të vendosen në dy faza.

Faza e parë, nga 1 prilli, godet produktet klasike amerikane, si uiski burbon, xhinse, dhe motoçikleta Harley-Davidson, të gjitha këto në vlerë të 8 miliardë eurove.

Kjo është praktikisht një “masë rimëkëmbjeje” nga mandati i parë i Trumpit, kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ishin përfshirë në një mosmarrëveshje të ngjashme tregtare, dhe nuk ka nevojë për lejen e shteteve anëtare të BE-së, sepse tregtia është në parim përgjegjësi e Komisionit Evropian.

Pakoja e dytë e tarifave, e propozuar të futet në fuqi më 13 prill, megjithatë, duhet të marrë pelqëimin e shumicës së kualifikuar të vendeve anëtare të BE-së. Kjo pako prek mallrat si, produktet bujqësore, tekstilin, pasjisjet shtëpiake dhe plastiken, në vlerë të përgjithshme prej 18 miliardë eurove.

Diplomatët me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë besojnë se ekziston një shumicë e tillë, pasi blloku është bërë gjithnjë e më i zemëruar me administratën amerikane. Megjithatë, ka filluar të krijohet një luftë e zgjatur, në të cilën Evropa ka më shumë për të humbur sesa Shtetet e Bashkuara.

A është BE-ja e gatshme për luftë tregtare?

Shifrat tregojnë përspektivën e përgjithshme. Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara ishin partneri më i madh i Bashkimit Evropian për eksportin e mallrave, pasi 20.6 për qind e tyre kaluan Atlantikun, në vlerë të mbi 600 miliardë dollarëve.

Megjithatë, BE-ja importoi "vetëm" 370 miliardë dollarë nga Shtetet e Bashkuara gjatë të njëjtës periudhë. Kjo është ajo që e zemëron Trumpin - dhe kjo e bën BE-në të cenueshme në këtë betejë.

BE-ja është dukshëm kampione e tregtisë së lirë në një epokë të proteksionizmit në rritje. Dhe, derisa blloku ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë rishtazi me një grup shtetesh në Amerikën Latine dhe po kërkon të afrohet me gjigantët ekonomikë në rritje si India, tregtia transatlantike është thjesht shumë fitimprurëse.

Eksportueset e mëdha evropiane si Gjermania, Italia dhe Holanda – të cilat po përballen me rritje të vogël ose fare ekonomike – janë të vetëdijshme për këtë. BE-ja duket e bashkuar tani për tani, por sa më gjatë të vazhdojë kjo gjendje, aq më shumë shtetet anëtare do t'i bëjnë trysni Brukselit për ta arritur një marrëveshje me Uashingtonin.

Kur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi për kundërmasat e bllokut më 12 mars, ajo theksoi menjëherë se "ne do të mbetemi gjithmonë të hapur për bisedime".

Shpresa në Bruksel tani varen në dy gjëra: së pari, që Uashingtoni do të jetë i gatshëm t’i heqë masat, të paktën për një kohë, ashtu siç ka bërë vazhdimisht me Kanadanë dhe Meksikën muajt e fundit. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, që gjendja të mos përshkallëzohet më tej dhe të bëhet një kartë negociuese në çështje të tjera politike, si lufta në Ukrainë dhe siguria e vendeve evropiane që ende varen nga vullneti i mirë amerikan./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat