Organizata me nam nga shumë vende të botës kanë lëshuar të mërkurën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kanë shprehur mbështetjen për lirinë e fjalës dhe mediave, dhe u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i mbrojë gazetarët dhe punëtorët tjerë të punësuar nga Agjencia e SHBA-së për Media Globale (USAGM), meqë shumë prej tyre përballen me rreziqe personale për shkak të raportimit nga dhe për regjime shumë shtypëse.
“Për më shumë se 80 vjet, entitetet e USAGM-it, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë (REL) kanë luajtur rol vital në shtirjen tek audiencat që jetojnë nën qeveri shtypëse dhe fuqizojnë shprehjen e lirë në disa prej ambienteve më të rrezikshme për raportim. Eliminimi i këtyre organizatave është goditje e madhe për lirinë e mediave dhe dhuratë për autokratët në botë”, është thënë në deklaratën e përbashkët.
Një urdhër ekzekutiv i 14 marsit, i nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump i ka bërë thirrje USAGM-it që “të eliminohet në maksimum, në përputhje me ligjet e aplikuara”, në kuadër të përpjekjeve për të zvogëluar elementë të burokracisë federale që presidenti i konsideron të panevojshme.
USAGM është agjenci federale e SHBA-së, mandati i së cilës përcaktohet me disa ligje. Ajo mbikëqyr Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë, Radion Azia e Lirë, Transmetuesin për Kubën, dhe Rrjetin e Transmetuesve për Lindje të Mesme.
Sipas ligjit amerikan, operacionet editoriale të entiteteve të USAGM-it janë të ndara prej Qeverisë amerikane, me qëllim të ruajtjes së pavarësisë editoriale.
“Është jetike që Kongresi të mbrojë USAGM-in dhe të garantojë siguri për gazetarët dhe të riafirmojë përkushtimin e Qeverisë amerikane për një media të lirë dhe të pavarur, në shtëpi dhe përtej saj”, është thënë mes tjerash në deklaratën e organizatave.
Radio Evropa e Lirë e ka paditur më 18 mars USAGM-in si dhe zyrtarët agjencisë, Kari Lake dhe Victor Morales, për t’i parandaluar përpjekjet e tyre për ta ndërprerë financimin federal të REL-it.
Padia argumenton se mohimi i fondeve të miratuara nga Kongresi për REL-in shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin ekskluziv mbi shpenzimet federale.Ndërkohë, politikanët e Bashkimit Evropian po vazhdojnë përpjekjet për një mbështetje të mundshme për Radion Evropa e Lirë (REL), pasi Qeveria amerikane i ndërprerë fondet për median që ka selinë qendrore në Pragë, mes shqetësimeve se mbyllja e këtij transmetuesi mund të jetë një goditje për mediat pro-demokracisë.