Mision i përmbushur për çiklisten 35-vjeçare holandeze Ellen Van Dijk, e cila garon me skuadrën Trek-Segafredo. Kampionia e botës në garën e kronometrit vendosi një rekord të ri botëror të orës.
Ajo arriti të përshkojë 49km e 254 metra në harkun kohor të 60 minutave. Van Dijk përmirësoi ndjeshëm rekordin e mëparshëm të 48.405km, vendosur një vit më parë nga britanikja Loss Lowden.
Rekordi i ri u vendos në velodromin e Grenchen, në Zvicër, në kushte optimale të temperaturës (28 gradë). Në total ajo zhvilloi 197 xhiro në pistë, Van Divjk është edhe kampione e Europës në garën e kronometrit.
“Jam shumë e lumtur. Nëse do të ndihesha edhe më mirë, në fundin e garës do të pedaloja më fort, por nuk pata mundësi. Gjithsesi, dhashë maksimumin dhe nuk kam asnjë keqardhje. Falënderoj ata që më mbështetën”, tha Van Dijk.