Anxhaku: Mbrojmë titullin!

Çiklizëm

Anxhaku: Mbrojmë titullin!

Më: 17 maj 2024 Në ora: 14:08
Skënder Anxhaku

Federata Shqiptare e Çiklizmit është në prag të aktivitetit më të rëndësishëm vjetor, teksa më datat 20-24 maj do të mbahet Rrethi i 81-të Çiklistik, event që prej disa vitesh është pjesë e kalendarit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI).

Vetëm pak ditë nga starti i Turit të Shqipërisë 2024, presidenti i FSHÇ-së, Skënder Anxhaku, ka folur për organizimin dhe pritshmëritë për këtë event tradicional të çiklizmit.

Anxhaku e nis duke evidentuar ata që kanë ndihmuar në organizimin e turit, por nuk i kursen kritikat për institucione që janë treguar indiferente, teksa shigjeton Ministrinë e Turizmit: “Dua ta nis duke përmendur mbështetjen që kemi pasur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, por do të ishte mirë që të njëjtën gjë ta bënte edhe Ministria e Turizmit. Kjo s’është një kërkesë për lëmoshë, por e them për t’iu dhënë të huajve të kuptojnë bukuritë e relievit shqiptar.

Para dy vitesh kishim dy ekipe holandeze këtu, skuadra të cilat pas Turit të Shqipërisë kanë sjellë në vendin tonë 50- 60 çifte në Sarandë dhe Vlorë. I bëra një kërkesë Ministrisë së Turizmit që ta na sjellin 2-3 persona që pas aktivitetit që të reklamojnë bukuritë e vendit tonë, por me sa duket ne na shikojnë me syrin e njerkës, sepse ky është një sport me shpenzime të mëdha”, shprehet fillimisht Anxhaku, cili më tej flet për partnerët e FSHÇsë në organizmin e aktiviteteve:

“Në datën 20 nisja do të bëhet në orën 12:00 nga Sheshi ‘Skënderbej’. Bashkia e Tiranës na ka mbështetur ashtu sikurse ka mbështetur federatat e tjera, apo Komitetin Olimpik dhe duhet t’u jemi mirënjohës. Mendoj që edhe Vlora do të bëjë diçka sepse është ‘Qytet Europian i Sportit’ për vitin 2024. Gjithashtu dua ta falënderoj Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, pasi shikoj zv.ministrin Endrit Hoxha, një njeri i dashuruar pas sportit, i cili i po i ndihmon shumë federatat”, deklaron Anxhaku për “Panorama Sport”,

OBJEKTIVAT – Duke u ndalur te garat, kreu i dyrrotakëve deklaron se Shqipëria synon të përsërisë paraqitjen e sezonit të kaluar, kur triumfonte në rang ekipor: “Me këta sportistë që kemi dhe më punën e bërë ne mendojmë që të shpallemi edhe këtë edicion kampionë, duke përsëritur suksesin e vitit të kaluar.

Etapa e katërt është një nga më të vështirat dhe aty do të bëhet diferenca, ndërsa dua të theksoj që në këtë eveniment do të marrin pjesë sportistë shumë të mirë, të cilët kanë garuar madje ehe në Xhiron e Italisë. Janë disa ekipe mjaft të forta, këtu përmend një skuadër holandeze, apo përfaqësuesen e Serbisë. Pra, do të jetë etapa e katërt me maloren e Llogarasë, gara që do të vendosë edhe fituesin e turit”.

DYRROTAKU NË SHKOLLA – Anxhaku në fund flet edhe për projektin e sportit në shkolla, ndërsa shpreh zhgënjimin e tij për mospërfshirjen e çiklizmit: “Ne si federatë kemi bërë shumë përpjekje për ta përfshirë çiklizmin në shkolla, por me sa shikoj e kanë mendjen vetëm te volejbolli dhe basketbolli.

Nuk kemi parë që të ketë ndonjë rezultat të madh në shkolla, ku të ketë dalë dikush i perspektivës se po bëhet gati 3 vite ky projekt dhe të gjithë lekët po shkojnë aty për volejbollin dhe basketbollin.

Madje, u kam thënë që ne nuk presim që ta na kalojnë ndonjë shpërblim në federatë, por t’ua kalojë shkollave, pasi ne duam të thithim njerëz dhe të kemi ekipe zinxhirë. Por nuk arritën ta bënin dhe paçin faqen e zezë.

S’kam pasur mundësinë për ta takuar kryeministrin, sepse do t’ia thosha pesë fjalë për këtë problem. Siç e përmenda edhe më lart çiklizmi është një lloj sporti që i jep një hov shumë të madh edhe turizmit e nuk ka nevojë të bëjë ndonjë reklamë të madhe. Gjithashtu, as bashkitë s’po bëjnë japin mbështetje dhe ky sport i traditës rrjedhimisht do të vijë duke firuar”, përfundoi Anxhaku.

commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat