Vladimir Milloseviq u shpall fituesi i etapës së tretë në edicionin e 81-të të Turit të Shqipërisë.
Pas nisjes nga Elbasani, 20-vjeçari arriti që pas 3 orësh e 26 minutash dhe 12 sekondash të kalonte vijën e finishit i pari në Vlorë. Vetëm 5 sekonda pas tij mbërriti sportisti kuqezi Olsian Velia, i cili për fare pak e humbi mundësin për të marrë çmimin për këtë etapë të tretë.
Për SuperSport, Velia tregon se ishte tepër e vështirë për të, për shkak se çiklistët e kombëtares së Serbisë bashkëpunuan për të mos i lënë terrenin e mjaftueshmë për të dalë i pari.
“Që në filim të garës e kisha menduar me djemtë e skuadrës tonë që të bëja një shkëputje, që sot të merrnim një vend, pasi sot ishte terreni im, terreni i fushës.
Por, në 10 km e fundit ishin tre sportistë nga Serbia dhe gjithë kohës po sulmonin dhe isha vetëm. Djemtë e skuadrës tonë kishin mbetur mbrapa me pjesën tjetër të grupit. Një djalë nga Serbia u shkëput në 10 metrat e fundit dhe arriti që të më marrë vendin e parë”, u shpreh Velia
Sportisti kuqezi shpreson që në dy etapat e fundit Kombëtarja jonë të bëjë më mirë, teksa vetë synon që të triumfojë në etapën e së premtes.
“Ne do munodhemi që nesër të marrim një vend të parë, por nesër do jetë e vështrë për mua, por do mundohem që të fitoj etapën e fundit që është etapa e sprintit”, tha çiklisti shqiptar.
Në etapën e tretë garuan 55 çiklistë, prej të cilëve 54 u kualifikuan për në etapën e ardhshme. Të enjten do të zhvillohet dhe gara e radhës, që parashikohet të jetë dhe më e vështira.
Nisja e etapës së katër do të bëhet në Lungomare, për të vijuar në Himarë e për të përfunduar në Llogara.
Sa i takon rënditjes së përgjithshme skuadra serbe vijon të jetë në krye, me Djorde Djuriç, i cili ndodhet i pari me pikë pas tre etapave të para.