Nga Kina në Shqipëri, Gentian Qejvanaj rrëfen: Ishte udhëtim rraskapitës, ju tregoj peripecitë 5-javore

Çiklizëm

Nga Kina në Shqipëri, Gentian Qejvanaj rrëfen: Ishte udhëtim rraskapitës, ju tregoj peripecitë 5-javore

Më: 13 gusht 2024 Në ora: 12:14
Gentian Qejvanaj

“Mos i bjer nga Kina”, është një shprehje të cilën shqiptarët e përdorin shpesh. Por, një djalosh nga Vlora nuk e përdori vetëm me të thënë, por e ktheu atë në praktikë. Gentian Qejvanaj, çiklisti 36-vjeçar që prej shumë kohësh jeton në Kinë mori një guxim shumë të madh për të bërë një udhëtim mjaft të veçantë. Nga Kina në Vlorë, Gentiani e bëri me biçikletë, madje në një hark kohor prej 5 javësh.

Një udhëtim që nisi më 30 qershor dhe përfundoi më 5 gusht në orën 19:00, moment kur Gentiani mbërriti në Vlorë, ose më saktë në fshatin e babait të tij, Kallarat. Në një intervistë të dhënë për median tonë, çiklisti 36-vjeçar tregon që ishte pikërisht fshati i babait të tij, vendi nga i cili erdhi dhe mendimi për këtë udhëtim.

Gentiani tregon që gjithçka nisi pasi konsumoi dy teke raki dhe në humor e sipër, ishte vetë ai që bëri një premtim të tillë, nga Kina drejt Vlorës me biçikletë. Një premtim të cilin e mbajti edhe pse tregon që vështirësitë gjatë këtij udhëtimi ishin të shumta. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, Gentiani tregon se është mjaft i kënaqur madje i bën thirrje shqiptarëve që të merren sa më shumë me sport dhe çiklizëm, për të njohur më shumë dhe nga afër mrekullitë që mbart Shqipëria.

Si lindi kjo ide për të kryer një udhëtim kaq të gjatë nga Kina e largët drejt Vlorës?

“Ideja për këtë udhëtim nga Kina në Vlorë lindi vitin e kaluar kur gjatë festës së fshatit Kallarati, më ftuan që të prezantoja veten dhe të thoja ndonjë gjë për Kinën, shtet ku unë jetoj. Atje në atë moment, pas disa tekesh rakie, më shtytën paksa që unë të premtoja këtë gjë, duke qenë se ky është sporti im dhe kam qejf biçikletën dhe kam patur gjithmonë në mendje këtë udhëtim.

Për këtë mu duk momenti ku fshati sigurisht do kishte qejf një premtim si ky, u nis si gallatë, por nga muaj mars dhe prill fillova të përgatitesha. Përmes Facebook po më pyesnin kur do të nisesh dhe cili është intererari. U nis pak si gallatë gjatë festë, por u bë diçka serioze”.

Çfarë menduat para se të niseshit, kishin ndjenjë frike apo pasigurie?

“Frikë jo, sepse unë jam i mësuar. Më shumë ka qenë përgatitja e rrugëtimit, kufijtë, letrat, të isha gati nga ana fizike, të ishte biçikleta gati. Sepse një rrugë kaq e gjatë ka shumë të papritura dhe doja të isha gati për çdo të papritur. Por jo, isha shumë i kënaqur dhe i gëzuar për një udhëtim si ky sepse e di, se nga ana e trupit tim dhe përgatitja fizike isha gati. Por vetëm të papriturat mund të sillnin ndonjë problem”.

Cilat ishin vështirësitë më të mëdha që patët gjatë këtij udhëtimi të gjatë?

“Vështirësi kuptohet që ka qenë vapa, vapë e madhe madje. Ka shkuar deri në 37 apo 38 gradë në Uzbekistan dhe unë isha në biçiklete pothuajse gjithë ditën. Kjo më ka dhënë disa probleme te rrahjet e zemrës, nga ana e djersës, ujë, sepse në një pikë udhëtova  80 kilometra pa konsumuar ujë. Pastaj, më e vështira ka qenë si lartë si në Kirgistan, vajtëm 3500 metra, ishte ftohtë dhe erë e ftohtë, filloi të binte dhe shi. Më ishin ngrirë gishtat dhe aty fillova të pyesja një mjet ushtarak të më ndihmonte që të zbrisja poshtë nga mali. Dhe tuneli në Taxhikistan, të cilin e quajnë tuneli i vdekjes ishte një tjetër vështirësi. Plot 5 kilometra pa drita dhe pa ventilator. Këto ishin dy momentet më të vështira mund të them”.

A mund të na përshkruani ndodhitë më të bukura që përjetuat gjatë këtij rrugëtimi?

“Momentet më të bukura sigurisht që kanë qenë pamjet e disa vendeve ku kam kaluar gjatë rrugës. Ky ka qenë një udhëtim të cilin unë e kisha organizuar që të kaloja nëpër vende të çuditshme. Kam parë vende të ruajtura nga “Unesco”, sidomos kur isha në Turqi, ca nga vendet më të bukura të Azisë Qendrore, apo malet e Kirgistanit që janë një mrekulli. Pastaj, bregdeti në Shqipëri apo Greqi mund të them që ishte një nga vendet më të bukura. Flija me çadër në plazhë, pas një ditë të gjatë më biçikletë dhe me një birrë në dorë ishte një moment cilësor që i jepte kuptim këtij udhëtimi të gjatë, të gëzoja disi veten për diçka kaq të vështirë”.

Ç’lloji ndjesishë kishit kur ia dolët që ta kryenit këtë objektiv tuajn?

“Një objektiv si ky udhëtim e ndërton hap pas hapi. Çdoherë që arrin në qytetin që kishe programuar ku të flije, çdoherë që kalon një kufi, janë si të ndërtosh një shtëpi, hap pas hapi. Është një kënaqësi që e ndjen, që po arrin në vend. Kur kalova kufirin e Shqipërisë pak a shumë dëgjova që arrita dhe asgjë nuk mund të ndodhte më. Ato 200 kilometrat e fundit nuk ishin një problem i madh. Të mbarosh një aventurë si kjo është pak a shumë sikur të marrësh një doktoraturë, pasi është një përgatitje e madhe, durim, përgatitje mentale dhe fizike. Përfundimisht kur mbaron është sikur të mbarosh një shkollë dhe mëson se çdo gjë në jetë do punë dhe durim për çdo moment të veçantë që do të kesh. Ka patur momente që më janë shpuar gomat 3 herë dhe mendoja se ky është një mundim i kotë.

Kishte momente që mendoja se nuk ia vlente. Por kur kalova kufirin e Shqipërisë mendova të kundërtën dhe sidomos kur arrita në Vlorë dhe pashë prindërit dhe shokët, kënaqësi e madhe. I thashë kënaqësi dhe guxim Vlorës. Nuk ishte diçka vetëm për mua, por edhe për vendin që të kishte diçka me të cilën të bëhej krenar gjatë verës”.

Objektivi i radhës i Gentjanit, një udhëtim me distancë më të largët ndoshta?

“Akoma nuk kam përcaktuar objektiv tjetër. Do bëj një udhëtim me biçikletë në Kazakistan, Mongoli dhe Rusi nga fundi i vitit. Dua të kthehem te malet e Himalajës pasi udhëtimi i fundit vajti keq. Dua të udhëtoj në 100 shtete të ndryshme, para moshës 40-vjeçare. Jam 36 dhe kam akoma edhe 4 vite që të shkoj në 30 shtetet e mbetura. Këto janë objektivat deri më tani, por sigurisht do më vijnë në mendje edhe gjërat të tjera. Mund të ketë një tjetër udhëtim me biçikletë.

Këto sfida fizike dhe mentale m'i japin kuptim vitit dhe më japin kënaqësi, pasi në fund të vitit kur shikoj mbrapa janë këto momentet që kujtoj me gëzim. Unë jam profesor fiskulture dhe mendoj se sporti duhet të jetë një pjesë e detyrueshme e gjithësecilit. Dua të shtyj fëmijë dhe shokët të bëjnë sport, jo në nivelin tim, por të lëvizin”.

Një mesazh për të rinjtë shqiptarë, përsa i përket stërvitjes apo sportit?

“Mund t’i them shqiptarëve që jetojnë në një vend të mrekullueshëm me të gjitha karakterstikat për një udhëtim si ai që bëra unë. Unë kalova në 9 shtete gjatë rrugës, por Shqipëria ka mrekulli si malet e veriut apo bregdeti i jugut. Është një vend që në të vërtetë i jep mundësi çiklistit që të shijojë gjithë këto vende, në një mënyrë jo aq shpejt me makinë dhe t’i bësh gjërat pa kuptuar me makinë. Një rrugë me biçikletë të jep mundësi të shohësh vende më të vogla, të ndalohesh dhe të kuptosh 100 përqind vlerat e vendit tonë. Shpresoj që ata çiklistë që shikojmë nga bregdeti apo gjatë gjithë Shqipërisë me valixhe në biçikletë, mos të jenë vetëm të huaj, por të jenë edhe shqiptarë që kërkojnë të udhëtojnë dhe të shijojnë vendin e tyre në një mënyrë ndryshe.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat