Xhiro e Italisë, një prej evenimenteve më prestigjioze botërore të çiklizmit, më 12 nëntor do të zbulojë itinerarin për vitin 2025, me aktivitetin që do të zhvillohet nga 9 maji deri më 1 qershor. Për herë të parë në histori ky kompeticion do të kalojë edhe në Shqipëri, me tri etapa që do të mbahen në vendin tonë.
Bëhet fjalë pikërisht për tri etapat e para, përkatësisht më 9, 10 dhe 11 maj, për t’i lënë vend më pas një dite pushim dhe transferimit përtej Adriatikut në Pulja. Gara do të kalojë nga Sestriere për t’u mbyllur në fund në Romë me fazën finale. Drejtori i Xhiros së Italisë, Mauro Venji, konfirmoi startin nga Shqipëria:
“E gjithë bota e di se nga do të fillojmë…” tha Venji, duke pranuar se do të ketë tri etapa në Shqipëri. Xhiro e Italisë 2025 do të jetë me 20% më pak malore në krahasim me edicionin e kaluar, ndërsa Venji zbuloi disa detaje të tjera të tjera:
“Do të ketë disa gjëra interesante, të tilla si rrugë me zhavorr dhe gjëra të tjera. Kur të bëjmë zyrtarizimin e itinerarit më 12 nëntor dhe të zbulojmë rrugët në Romë, njerëzit do të befasohen këndshëm”, u shpreh drejtori i xhiros.
Tadej Pogaçar dominoi në sezonin e kaluar në Itali, duke fituar gjashtë etapa dhe duke udhëhequr për 20 ditë.
Kampioni slloven nuk pritet të jetë i pranishëm në edicionin e ardhshëm, megjithatë organizatorët shpresojnë që tërheqin sa më shumë emra të mëdhenj. Fituesi i vitit 2023, Primozh Rogliç ka bërë të ditur se mund të rikthehet në Xhiron e Italisë 2025, me Juan Ajuso që ka të ngjarë të drejtojë Ekipin e Emirateve të Bashkuara Arabe në këtë kompeticion.