Tadej Pogacar ka zbuluar të dhënat në lidhje me rrahjet e zemrës së tij.
Ritmi i pulsit të tij edhe kur është pushim, është mbresëlënës.
Sipas shkencëtarëve, këto të dhëna e bënë çiklistin slloven të arrijë këto rezultate të jashtëzakonshme në këtë sport.
Tadej Pogacar është një “përbindësh” i vërtetë. Slloveni ka rishkruar historinë e çiklizmit me sukseset e arritura gjatë 2024. Tour de France (i treti), Giro d'Italia, medalja e artë në Kampionatin Botëror Rrugor, Liège-Bastogne-Liège (i dyti), Giro di Lombardia (i katërti), Strade Bianche (i dyti) e kështu me radhë. Pikat e forta të Pogit janë padyshim fiziku dhe koka e tij, siç konfirmohet edhe nga të dhënat për rrahjet e zemrës.
Pogacar ka treguar se pulsi i tij, në pushim është rreth 37 rrahje në minutë, ndërsa gjatë garave të shkurtra arrin deri në 213. “Pulsi më i ulët që kam pasur gjatë kontrollit, ishte 37.
Por në realitet, natën, mendoj se është 43 ose 42. Disa ditë zgjohem me 48 ose 49 rrahje për minutë. Kjo ndodh nëse nuk ndihem mirë ose jam mjaft i lodhur. Në garat e shkurtra kam arritur deri në 213 rrahje për minutë".
Pogacar ka monitoruar gjithmonë gjithçka që ka të bëjë me trupin e tij, në mënyrë që të jetë në gjendje të performojë sa më mirë. “Jam stërvitur me matës të rrahjeve të zemrës që kur kam qenë 12 vjeç.
Ndaj do të thoja se e di se si përgjigjet zemra ime kur jam i lodhur ose kur ndihem mirë. Pra, unë mund të mbështetem në rrahjet e zemrës, por më mirë është të krahasosh ritmin e zemrës me fuqinë".
Të dhënat e rrahjeve të zemrës janë të rëndësishme për një sportist, pasi janë një tregues i gjendjes së tij. Ata që merren me sport në nivel profesional duhet të kenë një zemër më të stërvitur, të aftë për të pompuar të njëjtën sasi gjaku me më pak rrahje, veçanërisht në pushim.
Gjatë gjumit, për shembull, kur ka një ngadalësim fiziologjik të rrahjeve të zemrës, frekuencat bien mjaft.
Kjo situatë është rezultat i një aktiviteti fizik të rregullt dhe intensiv i cili lejon të forcohet muskuli i zemrës, i aftë për të pompuar më shumë gjak, duke sjellë më shumë oksigjen në muskuj. Është e qartë se gjatë aktivitetit pulsi rritet ndjeshëm.
Një çiklist, mesatarisht në formë optimale ka një rrahje zemre në pushim që varion nga 40 deri në 50 rrahje, me një maksimum 190 dhe 200. Por nëse i njëjti çiklist është i lodhur, rrahjet e zemrës së tij në pushim mund të rriten deri në 60, me një rënie në aktivitet deri në 180.
Por sukseset e Pogacarit janë kurorëzuar edhe me një rekord të ardhurash.
Në sezonin rekord të Giro, Tour dhe Kampionatit Botëror, ai rinovon me Emiratet e Bashkuara Arabe deri në vitin 2030, kur do të jetë 32 vjeç. Ai mbërriti në ekip në vitin 2019 kur ishte 20 vjeç.
Shifrat janë po aq monstruoze sa edhe fitoret e tij: fitonte 7 milionë euro në sezon (pa bonuset), tani janë 8 milionë në vit.
Dhe kjo do të thotë se nga viti 2025 deri në vitin 2030 në gjashtë sezone slloveni do të fitojë (të paktën) 50 milionë euro. Askush në botën e çiklizmit nuk i ka prekur ndonjëherë këto shifra.
“Kjo është familja ime” ka deklaruar 26 vjeçari slloven.
Dhe sigurisht që klauzola e ndërprerjes së kontratët kap shifrën prej 200 milionë euro.
"Ishte një sezon perfekt, nuk e kam imagjinuar kurrë të jem në këtë nivel. Më pëlqen çiklizmi ashtu, dua ta shijoj këtë sport. Shoh se çfarë ndodh vit pas viti dhe përpiqem të shijoj çdo moment, çdo garë”.