Qeveria kalon 400 milionë lekët e këstit të dytë

Çiklizëm

Qeveria kalon 400 milionë lekët e këstit të dytë

Më: 7 mars 2025 Në ora: 12:05
Pamje

Për herë të parë në histori, Xhiro e Italisë do të zhvillojë startin nga Shqipëria. Siç dihet, edicioni i 108-të i evenimentit prestigjioz do të hapet me “Nisjen e Madhe” (Grande Partenza), me tri etapat e para në vendin tonë.

Gjithçka do të fillojë të premten, më 9 maj, me një etapë të mesme-malore që nis në Durrës dhe përfundon në Tiranë. Të shtunën, më 10 maj, rrugët e kryeqytetit do të shndërrohen në një shesh beteje për një provë kohore individuale në kronometër me distancë 13.7 km.

Trilogjia e etapave shqiptare do të përmbyllet të dielën e 11 majit (në ditën e zgjedhjeve) me një tjetër skenë të mesme malore, një kurs 160 km që fillon dhe përfundon në Vlorë. Duke kaluar në anën financiare, qeveria shqiptare ka mbushur së fundmi “xhepat” e organizatorëve italianë, duke lëvruar këstin e dytë të marrëveshjes.

Kështu pas këstit të parë prej 100 milionë lekësh (të rinj), Ministria e Arsimit dhe Sportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, i ka shtuar edhe fondin prej 400 milionë lekësh, për financimin e këstit të dytë të kontratës për realizimin e Xhiros së Italisë. Shuma totale e marrëveshjes financiare për të sjellë në vendin tonë tri etapa të Xhiros së Italisë është rreth 7 milionë euro, para të cilat do ti derdhë Qeveria Shqiptare në arkat e organizatorëve të eventit.

Kujtojmë që vetëm disa ditë më parë Ministria e Arsimit dhe Sportit akordoi buxhetin për federata me program olimpik, ndërsa bie në sy diferencat e jashtëzakonshme mes buxhetit për zhvillimin e sportit në vend dhe shumës për të sjellë 3 etapat e Xhiros së Italisë.

Nëse për “Nisjen e Madhe” (Grande Partenza) marrëveshja financiare shkon rreth 7 milionë euro, për 14 federatat në vend shteti ka akorduar një buxhet të përgjithshëm vjetor prej 166.7 milionë lekë (të rinj).

Kujtojmë që prej vitit 2022 Qeveria Shqiptare po financon edhe projektin “Ekipe Sportive”, projekt që gjithashtu ka një qasje financiare shumë herë më të lartë se buxheti total i federatave. Projekti i menaxhuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është financuar me mbi 10 milionë euro deri më tani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat