Medieat Italiane, kanë zbardhur orët e fundit përgjimet telefonike që autoritetet policore italiane kanë bërë në telefonin e 36-vjeçares Elona Kalesha, ish e fejuara e Taulant Pashos, djalit të Shpëtim e Teuta Pashos, trupat e të cilëve u gjetën të masakruara në katër valixhe pesë vite pas zhdukjes së tyre më 2 nëntor 2015.
Një ditë pas gjetjes së valixhes së katërt me pjesët e copëtuara të trupave të çiftit shqiptar, Elona Kalesha rreth orës 20.00 të mbrëmjes telefonohet nga Gaia, e fejuara e vëllait të saj, e cila e pyet se kush është personi i dyshuar për këtë vrasje.
“Shumë veta po më shkruajnë, thotë Elona, por dihet që është ai, djali i tyre i ka vrarë, Taulanti”
“E di dhe vëllai i Shpëtimit këtë gjë.
Ai gjithmonë thoshte që Taulanti i ka vrarë, Taulanti as nuk i kërkonte prindërit e tij… si është e mundur të mos i kërkosh prindërit e zhdukur..
Ai ka qënë përherë një person i dhunshëm me prindërit i tërhiqte zvarrë me motorr”, thotë Elona Kalesha në bisedën me kunatën e saj Gaia.
Por nga ana tjetër motrat Pasho akuzojnë Elonën si autore të krimit ndaj prindërve.
Dorina Pasho në një bisedë telefonike me një mikeshën e saj shqiptare thotë
“Unë jam e bindur e do them që e ka bërë Elona, e jo vëllai im”
E ka bërë ajo me vëllain e saj, me babain, me nigerianët me të cilët punonte, mos u merrni me ne, po ju japim gjithcka në dorë faktet,e mos i nënvlerësoni”
Po ashtu dhe Viktoria Pasho vajza tjetër e Shëptim e Teuta Pashos ka deklaruar para hetuesve se mendon që vrasësi i prindërve të saj është 36- vjeçarja Elona Kalesha.
Ndërsa Elona Kalesha në bisedën me nënën e saj nënvizon disa herë që çifti Pasho u zhdukën në të njëjtën ditë kur Taulanti doli nga burgu.
“Ata do t’i jepnin të birit 60 mijë euro, e këto para nuk u gjetën”
Për momentin prokurorët e çështjes po hetojnë në 360 gradë për zbardhjen e këtij krimi makabër,Elona Kalesha mbetet deri më tani e akuzuara e vetme për vrasje të dyfishtë, dhunim të trupave të viktimave si dhe fshehjen e tyre.
Ndërkohë ekspertiza mjeko ligjore ka konfirmuar zyrtarisht se një pjesë e trupave të copëtuar e të gjetura në katër valixhe të hedhura në autostradën Firenze-Piza e në afërsi të burgut të Solleccianos, janë të Shpëtim e Teuta Pasho. Raporti mjeko ligjor erdhi pas krahasimit të analizave të trupave me ato të dy vajzave të tyre Dorina e Viktoria.