Telegram ngushëllimi
E nderuara familje Baruti,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e hershme të Prof. Dr. Blerim Barutit. Prof. Baruti ishte një intelektual i madh, një mësimdhënës i përkushtuar dhe një personalitet i devotshëm, një veprimtar i dalluar dhe mbështetës i madh i nismave në të mirë të qytetarëve. Ai ishte një njeri i dashur i Mitrovicës dhe i Kosovës.
Parasegjithash, prof. Dr. Blerim Baruti ishte mbështetës i madh i mërgatës shqiptare, në veçanti i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Ai ka kontribuar dhe ka nderuar çdo herë takimet përuruese të Shoqatës “Papa Klementi”, duke inkurajuar gjithnjë anëtarët e saj për shkrime e hulumtime në të mirë të kombit e atdheut. Prof. Blerim Baruti ka qenë ndër intelektualët që ka shtyrë përpara shumë të rinj për të nxitur zhvillimin e arsimit shqip dhe kërkimeve në fusha të ndryshme, sidomos për të rinjtë shqiptarë në mërgatë.
Kontributi dhe vepra e tij do të jetojë gjatë në mesin tonë.
Vdekja e tij është humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për shumë miq, për studentët e tij dhe për gjithë shoqërinë.
Qoftë e lartësuar figura e prof. Blerim Barutit!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!
Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi.