Një ish-oficer policie nga Shqipëria u kap me kokainë në Angli, por i shpëtoi burgut.
Sipas Daily Mail, Maurisio Malaj, 30 vjeç, kishte punuar si agjent policie në Shqipëri. Ai ishte infiltruar në mafian shqiptare si i maskuar, por identiteti i tij ishte zbuluar. Për këtë arsye, ai u arratis nga Shqipëria drejt Anglisë pasi bosët e krimit i dogjën makinën e babait.
Ai u përpoq që të kërkonte azil në Angli, por nuk arriti të gjente punë pa u zgjidhur statusi i emigrantit. Pasi i kërkoi miqve një vend pune, ata i ofruan që të shpërndante kokainë.
Malaj u arrestua në prill të këtij viti. Përpara gjykatës ai pranoi se kishte me vete kokainë për të shpërndarë.
Gjykatësi Ian Darling, duke e dënuar me dy vite burg me kusht, të zëvendësuara me 200 orë punë në komunitet, tha se është e turpshme që një ish-polic del përpara gjykatës.
“Ti ke tradhtuar etikën e profesionit tënd,” tha gjykatësi. “Megjithatë po të jap një shans që të rindërtosh jetën dhe lirinë tënde”.
Me kokën e rruar, shqiptari Malaj psherëtiu i çliruar dhe i tha gjykatësit: “Faleminderit, shumë, shumë”.