Një shqiptar i dënuar me 17 vjet e 10 muaj burg nga gjykata e Pordenones është ekstraduar dje nga Britania e Madhe në Itali, në ekzekutim të një mandat arresti ndërkombëtar të nxjerrë para katër vjetësh për vrasje të mbetur në tentativë.
Agjentët e Kuesturës së Pordenones kishin arritur ta lokalizonin në Britani shqiptarin e kërkuar, duke ndjekur persona të lidhur me të.
Më 9 dhjetor 2006, ai u përfshi në një sherr, me sharje e të shtyra, midis dy grupeve shqiptarësh në parkingun e një salle lojërash në Pordenone. Ai shkoi në shtëpi, ku mori një thikë të madhe, dhe u kthye në sallën e lojërave, tashmë i shoqëruar edhe nga dy vëllezërit, ku ndoqi e goditi tre persona të tjerë. Të tre mbetën të plagosur, njëri më rëndë, pas goditjes me thikë në bark.
Agresori u kthye në Shqipëri, më pas shkoi në Greqi, për t’iu shmangur hakmarrjes së mundshme, e prej andej në Britaninë e Madhe, me dokumente false e duke ndërprerë edhe kontaktet me familjarët në Itali. Ndërkaq, i akuzuar për vrasje në tentativë dhe sherr, u dënua me vendim përfundimtar 17 vjet, 10 muaj e 6 ditë burg. Më 8 maj 2017 për të u nxor mandat arresti evropian nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit në Trieste.
Autoritetet britanike arritën ta lokalizonin dhe arrestonin në Edinburg, Skoci, më 18 qershor 2019. Mbrëmë përfundoi procesi i ekstradimit dhe shqiptari mbërriti në aeroportin e Fiumicinos në Romë, prej nga u dërgua menjëherë në burgun e Civitaveçhias.