Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër mbajti mbledhjen e rregullt në Solothurn nën drejtimin e Ahmet Kosumit (kryetar) ku u analizua gjendja në Kosovë pas aksionit të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit dhe vendosjen e reciprocitetit, u vlerësua se ndërhyrja e policisë së Kosovës dhe marrëveshja për tabelat ishin të dëmshme sepse cenohet rënd sovraniteti.
Rëndësi të veçantë në mbledhje iu kushtua zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 Tetor, u konstatua se LDK-ja është në rrugë të mirë për të i fitua shumicën e komunave, në disa komuna edhe pa balotazh.
Kryesia e Degës së LDK-së në mënyrë unanime vendosi që të dalë me një apel mobilizimi te anëtarësia e LDK-së, për dalje masive në zgjedhje.
Të gjithë bashkatdhetarët që ende nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit ta bëjnë sa më parë, e të tjerët të shkojnë në kutinë e votimit në Kosovë.
LDK Dega në Zvicër konsideron se duhet të mendojmë për shtetin tonë Kosovë, mjaft eksperimentuam duke menduar se edhe subjektet tjera me programe e pa programe, majtas e kinse djathtas e sollën Kosovën buzë një katastrofe ekonomike, sociale e morale, të rinjtë, ekspertët më të mirë po ikin nga Kosova në vende tjera, shkollat tona boshatisen.
Ndërsa buxheti i Kosovës mbushet kryesisht nga dogana, vendi nuk mund të zhvillohet duke u varur nga dogana.
Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër apelon:
- Të shkojmë në Kosovë, atje të kontribuojmë me votë.
- Të gjithë aktivistët t’ju bashkohen shtabeve komunale të LDK-së prej nga gravitojnë.
- Të bisedojnë shtruar me miq e shokë, t’ju thuhet se Kosova bëhet vetëm me drejtimin e të pakorruptuarve.
E kemi të lehtë; kemi bagazh intelektual, kemi historinë, kemi figurat më të larta shtetërore qe vunë themelet e këtij shteti, ishte e vazhdon të jetë udhërrëfyes i përjetshëm Presidenti historik, moral e shpirtëror i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, kemi kandidatët më të mirë, shpresojmë se do kthehemi në vendin qe e meritojmë.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.
Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.
Solothurn 05.10.2021
Kryesia e LDK-së Dega në Zvicër