Një aksident tragjik i ka marrë jetën një shqiptari në Angli.
Mediat e huaja, bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në 2 qershor të këtij viti ndërsa 22-vjeçari i identifikuar si Algert Lleshi është shpallur i vdekur tre ditë më vonë.
Ai u dërgua në spitalin William Harvey dhe sipas mjekëve ai kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë. Gjendja e tij u përkeqësua dhe ai u transferua në spitalin King’s College për një operacion urgjent, por që nuk ia arriti të mbijetonte.
Edhe pse kanë kaluar disa muaj, vdekja e shqiptarit është rikthyer sërish në vëmendjen e mediave angleze. Sipas hetimeve që tashmë janë përfunduar Lleshi, i cili ka qenë duke udhëtuar me një biçikletë elektrike është rrëzuar dhe fatkeqësisht ka humbur jetën.
22-vjeçari ka humbur kontrollin e biçikletës për shkak të një grope në mes të rrugës dhe për pasojë është rrëzuar dhe ka përplasur kokën në asfalt.
Shqiptari mbeti fillimisht pa ndjenja dhe erdhi në vete 7 minuta më vonë kur u ndihmua nga një infermiere që rastisi në vendin e ngjarjes. Kur mbërriti ambulanca ai ishte i vetëdijshëm dhe qëndronte i ulur.
Dëshmitarët thanë se ai hyri me këmbët e tij në ambulancë, por ankohej për dhimbje kokje duke kërkuar një qetësues, por në këto momente ai ka humbur sërish ndjenjat.
Banorët e zonës kanë deklaruar se gropa në rrugë është mbyllur një ditë më pas. Personat që i kanë dhënë ndihmën e parë kanë qenë dy shoferë dhe një infermiere që po kalonin aty rastësisht.
Ndërkohë në fotot që janë publikuar nga mediat e huaja, miqtë kanë bërë homazhe në vendin e aksidentit duke ndezur qirinj dhe kanë shprehur ngushëllimet për familjarët e tij.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/November/03/auto_-640-0-6182fd32ea9cf1635974780.jpg)
![Image](/media/botasot.info/images/2021/November/03/auto_-640-0-6182fd32831611635974774.jpg)
![Image](/media/botasot.info/images/2021/November/03/auto_-640-0-6182fd324ff301635974778.jpg)