Policia e Kantonit Schaffhausen, të Zvicrës arrestoi disa persona për falsifikimin e certifikatave të vaksinimit. Ata tashmë janë në paraburgim, shkruan 20 minuten.ch, transmeton "Bota sot".
Në periudhën nga fundi i shtatorit deri në mesin e tetorit 2021, policia e Schaffhausen-it ka marrë informacione nga Zyra Federale e Policisë (Fedpol) dhe Qendra Kantonale e Vaksinimit (KIZ), sipas të cilave një punonjës i Qendrës Kantonale të Vaksinimit (KIZ) mund të gjenerojë disa qindra çertifikata të falsifikuara ose të pasakta të vaksinimit Covid dhe t'ua shiste njerëzve që nuk kishin marrë kurrë vaksinat e nevojshme.
Siç njoftoi të mërkurën policia e Schaffhausen-it, gjatë javëve të fundit janë arrestuar një punonjës i KIZ-it dhe disa persona të tjerë që kanë mbështetur punonjësin e qendrës së vaksinimit duke referuar blerës të mundshëm ose duke rishitur certifikatat e vaksinimit që ishin të pavërteta.
Aktualisht ata janë në paraburgim. Në këtë kuadër, prokuroria publike ka hapur disa procedura për falsifikim të shumëfishtë të dokumenteve.