Rrëmbime helikopterësh e prerje hekurash me limë/ Arratisjet e shqiptarëve nga burgjet e huaj ndër vite

Diaspora

Rrëmbime helikopterësh e prerje hekurash me limë/ Arratisjet e shqiptarëve nga burgjet e huaj ndër vite

Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 21:00
Foto ilustrim

As dy ditë nuk kishin kaluar nga transferimi, kur një arratisje e bujshme e katër shqiptarëve dhe një pakiztanezi prej ambienteve të paraburgimit në qytetin helen të Chania-s ka mbushur ekranet e televizioneve, portaleve dhe gazetave të Greqisë, dhe më pas të vendit tonë këtë të hënë.

Shqiptarët, së bashku me një shtetas pakistanez prenë me limë kangjellat e burgut dhe mundën të largohen me nje kamionçinë nga qelitë ku po qëndronin, kanë raportuar mediat e shtetit fqinj.

Mediat e shtetit fqinj kanë zbuluar edhe identitetet e të arratisurve, të ciliët i përkasin moshave të reja, përkatësisht 29-43 vjeç. Sipas informacioneve në dispozicion, të arratisurit ishin:

1. Olis Thoma Prifti, 43-vjeç nga Dropulli, i arrestuar në vitin 2016. I dënuar me burgim të përjetshëm për “pjesmarrje në grup kriminal”, “grabitje”, “grabitje me pasoje vdekje”, “vjedhje”, “armëmbajtje pa leje” dhe “përdorim arme”. Gjatë grabitjeve të grupit të Priftit, mbeti e vdekur një e moshuar greke 84-vjeçare.

2. Olsi Qamil Meta, shqiptar 29 vjeç, i dënuar për “trafik droge”;

3. Ardian Qamil Meta, nga Divjaka, 32-vjeç, i dënuar për grabitje, pjesë e grupit të Olis Priftit.

4. F.F., Shqiptar 34 vjeç, i dënuar për “trafik droge”;

5. Pakistanez 35 vjeç, i dënuar për “vrasje”.

Por Prifti, 2 Metat, dhe 34-vjeçari me iniciale F.F., nuk janë të vetmit që kanë qenë në gjendje t’ia mbathin përkohësisht larg prangave të autoriteteve dhe “shpatës” së drejtësisë, dhe me shumë gjasa nuk do do të jenë të fundit, që zgjedhin lirinë e momentit me pasojë zgjatjen e kohës së vuajtjes së dënimit.

Shqiptari arratiset nga burgu italian në natën e Vitit të Ri

Pak më shumë se një muaj më parë, një shqiptar nga burgu i Verçellit gjatë natës së ndërrimit të viteve në Itali. 27-vjeçari Kristjan Mëhilli ishte arrestuar në vitin 2019 si anëtar i bandës “Ice Eyes” që akuzohen se kishin kryer një sërë grabitjesh të vilave në territorin piemontez te Italisë.

Mëhilli së bashku me një të burgosur tjetër (me origjinë shqiptare) sharruan hekurat e dritares së qelisë, me çarçafë të lidhura litar. Të dy të burgosurit mundën të zbresin nga kati i katër i qelisë në murin e brendshëm të burgut. Të ndihmuar nga persona të jashtëm, të cilët u kanë hedhur litar brenda murit rrethues të burgut, Mëhilli ka arritur të largohet ndërsa tjetri është rrëzuar e ka thyer krahun, e është bllokuar nga rojet e burgut.

Mediat italiane e konsiderojnë shqiptarin si të rrezikshëm dhe të paskrupullt, pasi u arrestua në maj të 2019-s nga karabinierët e Casale Monferrato, së bashku me tre shqiptarë të tjerë. Ai ishte pjesë e bandës që kryente grabitje në vila në zonat Alessandria, Casalese dhe Vercelli. Agustin Pjetërgjokaj, Kristjan Keci dhe Cesk Thani ishin shqiptarët e tjerë pjesë e bandës.

Shqiptarët janë autorë të disa grabitjeve në Itali. Ata kanë goditur kujdestarin e një çifti të moshuar duke grabitur 400 mijë euro. Nëntorin e 2019-ës, të armatosur dhe me shufra hekuri, të rinjtë shqiptarë grabitën vilën e sipërmarrësit Riccardo Coppo, në Cella Monte ku morën 60 mijë euro dhe sende me vlerë.

Përveç grabitjes shqiptarët janë përgjegjës edhe për një sulm tjetër në Trescore Balneario (Bergamo), më 12 dhjetor 2018; dhe tre grabitje në tentativë, në Parabiago (Milano), më 14 qershor 2018 dhe 8 maj 2019, dhe në Erbusco (Brescia), më 13 maj, raportonte VercelliNotizie.it.

Shqiptari arratiset nga burgu, shkon të grabisë bankën

Më 21 korrik 2021, një shqiptar 42-vjeç i arratisur nga burgu, së bashku me një grek 58-vjeç u arrestuan për grabitjen e një dege të një banke ditën e djeshme në Peristeri, Athinë.

Mediat greke publikuan pamjet e momentit kur shqiptari futet brenda në bankë i maskuar dhe armatosur duke grabitur degën. Shqiptari nën kërcënimin e armës bllokoi arkëtarin dhe mori shumën që gjendej brenda më pas doli duke u arratisur me bashkëpunëtorin e tij grek që po e priste.

Por arratia nuk zgjati shumë. Dy grabitësit u lokalizuan dhe pavarësisht rezistencës u prangosën. Shqiptarit, identiteti i të cilit nuk publikohet iu sekuestruan një pistoletë me mulli, fishekë, një shumë në euro, që grabiti dhe veshjet e përdorura.

Grekut iu gjet një armë, dy hanxharë dhe makina që përdorën për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Policia greke thotë se shqiptari ishte arratisur nga burgu në 20 janar të vitit të kaluar, ku po vuante dënimin 28 muaj për vjedhje, rezistencë dhe hyrje ilegale në Greqi.

Shqiptari arratiset pasi grekët i dhanë leje daljeje

Një 34-vjeçar shqiptar është arratisur nga burgu grek i Domokos më 12 shtator, 2019. Sipas mediave greke, shqiptari kishte dalë me leje nga burgu. Autoritetet i kishin dhënë një pushim 5-ditor. Por pas përfundimit të ditëve, ai nuk u kthye në institucionin e vuajtjes së dënimit.

34-vjeçari duhej të ishte kthyer mëngjesin e së mërkurës, por nuk ka ndodhur kështu. Policia ka nisur kërkimet për të gjetur dhe arrestuar shqiptarin. 34-vjeçari është i dënuar me 9 vite e 2 muaj burgim për veprën penale të trafikut të drogës.

Ndërkohë, nga i njëjti burg është arratisur edhe një 40-vjeçar polak, që gjithashtu kishte dalë me 5 ditë leje dhe nuk u kthye më. Polaku është i dënuar me 20 vite burgim për vrasjen e një biznesmeni në ishullin e Mikonos në vitin 2010, ka raportuar klan në atë kohë.

Sharrojnë hekurat e dritares, zbresin me çarçafë. Shqiptarët arratisen nga burgu italian i Rebibias

Më 28 tetor 2016, tre të dënuar shqiptarë janë arratisur ditën e djeshme nga burgu i Rebibias, në Itali, duke përdorur çarçafët si litarë. Sipas mediave italiane mësohet se, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm mes orës 06:00 dhe 06:15.

Në bazë të hetimeve të para, tre të arratisurit kanë sharruar hekurat e dritares së qelisë së ndodhur në katin e parë, kanë arritur murin rrethues e më pas kanë zbritur prej tij përmes çarçafëve. Mediat italiane kanë raportuar se u arratisën shtetasit, Tesi Basho, 35 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, Ilir Pere, 40 vjeç, i dënuar për tentativë vrasje, ndërsa dënimi i tij përfundonte në vitin 2041 dhe Mikel Hasanbelli, 38 vjeç, i dënuar për shfrytëzim prostitucion dhe dënimi i tij përfundonte në vitin 2020.

Të njëjtat burime bënë me dije se, tre të arratisurit pranë shtretërve të e tyre kanë vendosur kartona të mbuluar me batanije, si gjurmë të trupave të tyre të shtrira, në mënyrë që mos të shkaktohej menjëherë alarmi i mungesës së tyre. Ndërsa në hekurat e sharruar të qelisë kanë varur një bluzë për të fshehur të çarën që kishin hapur për tu larguar nga qelia.

Të dënuarit ndodheshin në repartin G9 të burgut dhe përbëjnë rrezikshmëri të lartë. Menjëherë pas kësaj ngjarje autoritetet italiane kanë nisur kërkimet, duke analizuar kamerat e mbikëqyrjes dhe duke ngritur postoblloqe në zona të ndryshme.

Ndërkohë mediat italiane kanë ngritur shqetësimin se kohët e fundit nga vendet e vuajtjes së dënimit janë arratisur shumë të dënuar për shkak të mungesës së personelit në këto institucione. Aktualisht në burgun e Rebibias ndodhen 1.370 të burgosur e 620 punonjës policie. Vetëm gjatë natës së kaluar kanë mbërritur 39 të burgosur të tjerë nga komuna e Camerinos, zonë e prekur nga tërmeti.

Autoritetet italiane menjëherë pasi janë arratisurit nga burgu i Rebbibias tre shqiptarët, kanë nisur kërkimet për kapjen e tyre ndërsa konsiderohen si persona me rrezikshmëri të lartë. Mediat italiane bëjnë me dije se, sipas autoriteteve vendase më i rrezikshmi konsiderohet 36-vjeçari Tesi Basho i dënua me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë.

36-vjeçari është dënuar në vitin 2008 për vrasjen e dy rumunëve. Vrasja ndodhi në janar të vitit 2008 dhe Basho i ekzekutoi me 13 plumba. Më pas u largua në Amsterdam, për t’u arrestuar disa muaj më vonë nga Interpoli italian. Po kështu një prej të arratisurve 36-vjeçari Mikel Hasanbelliu, së bashku më të vëllain, Geron Hasanbelliu janë emra të njohur dhe për drejtësinë shqiptare.

Në korrik të vitit 2015, ata i shpëtuan drejtësisë shqiptare, ndërsa akuzoheshin për vrasjen e shtetasit Julian Çela në Belgjikë dhe plagosjen e Kasandër Nogës. Vrasje e bërë për hakmarrje, pasi Noga u ekzekutoi babanë, teksa ishte i shtruar në reanimacionin e Ushtarakut. Pasi u shpallën të pafajshëm nga drejtësia shqiptare ata u ekstraduan drejt Italisë për trafik droge dhe prostitucion. Mikel Hasanbelliu duhet të qëndronte në burg deri në vitin 2020. Ndërsa Ilir Pere ishte dënuar për trafik armësh si dhe tentativë vrasje. Ai duhej të qëndronte në burg deri në vitin 2041.

Adoleshenti shqiptar arratiset nga burgu – kaloi murin 9 metra të lartë

Por, jo vetëm shtetasit shqiptarë në moshë madhore janë arratisur nga burgjet e huaja. Një rast “ekzemplar” është ai i një adoleshenti që arratiset nga burgu në Milano më 21 dhjetor 2015, ku mbahej pas një dënimi për vjedhje.
Mediat italiane duke iu referuar policisë sqarojnë se 17-vjeçari L.R ndodhej në burgun e të miturve dhe ka mundur t’i shpëtojnë vëzhgimit të forcave të sigurisë.

Shqiptari kishte vetëm dy muaj që ishte kapur dhe ka përfituar për arratinë gjatë kohës së ajrimit, përcjellin mediat shqiptare.

Ai kërceu murin 9 metër të lartë dhe sistemi i alarmit nuk u aktivizua. Jo vetëm kaq, por arratisja nuk u regjistrua as nga kamerat e sigurisë dhe as u vu re nga agjentët. Sipas mediave italiane, kamera e vetme efektive pati qenë ajo jashtë murit.

Në periudhën post-arratisje, kishte dyshime se 17 vjeçari mund të jetë ndihmuar nga dikush brenda, dhe ndërkohë shokët kanë hutuar rojet. Një ditë më parë, ai ishte vizituar nga prindërit dhe nga i vëllai.

Dyshohej si ekzekutuesi i Giuseppe Intelletto-s, shqiptari arratiset nga burgu i Campobassos në Itali

Më 4 tetor 2019, nga burgu i Campobassos në Itali u arratis Olsi Shaqlli. Ai u arrestua në vitin 2012 në Shqipëri, pasi ishte i dyshuar për ekzekutimin e Giuseppe Intelletto që ndodhi pas një grabitje me armë në Itali, në 6 janar të vitit 2008.

Shaqlli u identifikua pasi hetuesit gjetën gjurmë të ADN-së së tij në një gotë, në të cilët ai kishte pirë ujë.

Mediat italiane shkruajnë se ai është një person shumë i rrezikshëm. Ai kishte përfituar disa ditë leje për shkak të sjelljes së tij të mirë në burg por me sa duket ky ka qenë plani i tij i arratisjes.

Dyshohet se arratisja e tij është kryer në bashkëpunim me disa persona të tjerë. Tashmë policia italianë është vënë në kërkim te tij pasi ka edhe 10 vite dënim për të shlyer, sipas raportimeve nga Quotidiano Molise gjatë asaj periudhe.

Vjedhje, kërcënim me armë dhe armëmbajtje pa leje. Shqiptari arrestohet pak pak orë pas arratisjes

Një 31-vjeçar shqiptar është arratisur nga komisariati i policisë greke në Korfuzit, ku ndodhej për t’u marrë në pyetje në lidhje për një hetim të policies, më 12 dhjetor 2016.

Sipas mediave greke, shqiptari është i dënuar me shumë vite burg për vjedhje me armë, kërcënim me armë, armëmbajtje pa leje etj. Para një dite, 31-vjeçari ishte transferuar nga burgu në komisariatin e policisë për t’u marrë në pyetje për një çështje kriminale që dyshohet se ishte i përfshirë.

Por, për motive të pa bëra publike nga mediat, është e paqartë se si 31-vjeçari mundi të largohej. Por ai u arrestua përsëri brenda pak orësh në zonën Lefkimmi.

Pas kësaj ngjarje, ka nisur hetim i brendshëm për të zbuluar shkaqet se si shqiptari mundi të arratisej. Ndërkohë, i burgosuri do të dërgohet në burgun e Nafplios ku vuan dënimin.

Po e transportonin nga Gjykata për në paraburgim, ia mbath shqiptari

Një 28 vjecar shqiptar, gjatë kohës që po ikte nga gjykata në drejtim të paraburgimit, ka shfrytëzuar momentin dhe është arratisur nga policia greke më 26 gusht 2020.

Mediat helene bënë me dije se ngjarja ka ndodhur në qendër të Athinës, në sheshin e Omonias. I riu nga Shqipëria ka arritur të shpëtojë nga duart e policisë helene, ndërsa ata po e hipnin atë për në furgonin e burgut.

Shqiptari do të dërgohej për në qelinë e tij, por se duket se ka shpëtuar nga ferri i burgosjes. Sipas informacioneve, 28-vjecari nuk kishte pranga kur u arratis. Ai shtyu punonjësit e policisë dhe iku në drejtim të panjohur.

Dështon tentativa e shqiptarit për arratisje, e kapin rojet e burgut

Më 1 Qershor 2018 një shqiptar, identiteti i të cilit nuk u bë menjëherë i ditur, ka tentuar të arratiset nga burgu i Kretës në Greqi, por kanë qenë rojet e qelisë, të cilët kanë parë shqiptarin në kohën e duhur dhe e kanë ndaluar.

Për të realizuar arratisjen, ai kishte prerë hekurat e qelisë së tij me një mjet prerës që nuk është saktësuar ende. Pas një kontrolli të imtësishëm, në burgun e Kretës, janë gjetur disa mjete prerëse në disa qeli.

“Mjeshtër i arratisjes” – shqiptari “UFO” arratiset nga burgu belg

Ishte data 19 dhjetor 2013, kur shqiptari 29-vjeçar Taulant Toma, i akuzuar për grabitje në Itali, ndërkohë që kryente dënimin në Belgjikë është arratisur për të disatën herë nga burgu.

Mediat belge, por dhe ato italiane, e kanë cilësuar 29-vjeçarin një mjeshtër të arratisjes, duke pasur parasysh se kjo është arratisja e tretë e tij nga burgu, por dhe për mënyrën se si kishte arritur të largohej mbrëmjen e së shtunës nga burgu belg.

Tani 29-vjeçari shqiptar është personi më i kërkuar në të gjithë Belgjikën. Taulant Toma u arrestua më 11 shtator 2013, në qytetin Liege, të Belgjikës për llogari të drejtësisë italiane.

Toma arriti te arratisej pasditen e së shtunës me ndihmën e të dënuarve si dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm. Toma është i njohur si njëri prej pjesëtarëve të bandës të Ilir Pajës, i njohur ndryshe nga policia italine si “UFO”.

Rrëmben helikopterin, shqiptari arrestiset nga burgu në Athinë

Një i dënuar shqiptar dhe kreu grek i bandës së tij u arratisën nga një burg i sigurisë së lartë në Athinë duke përdorur një helikopter për herë të dytë në tre vjet, një ditë para se të dilnin në gjykatë.

Alket Rizai dhe Vassilis Paleokostas u arratisën pasi bashkëpunëtorët morën helikopterin, e pilotuan atë në burgun e Korydallos dhe i hodhën një litar në çati, raportojnë mediat greke dhe shqiptare.

Sipas Associated Press, helikopteri më vonë u gjet i braktisur në një autostradë, me pilotin të lidhur dhe të mbyllur me një kapuç mbi kokë.

Paleokastas dhe Rizai, të cilët mbahen për një sërë grabitjesh bankash, u arratisën nga i njëjti burg në Athinë në vitin 2006 pasi një helikopter i rrëmbyer u ul në oborrin e burgut gjatë kohës së stërvitjes, duke u larguar lehtësisht nga burgu ndërsa gardianët besonin se helikopteri ishte një inspektim nga zyrtari i burgut. Më pas, rojet qëlluan në drejtim të helikopterit, por nuk mundën ta ndalonin atë dhe as të dënuarit që të mos largoheshin.

Rizaj, 32 vjeç, nga qyteti i Ballshit në Shqipërinë Jugore, dyshohet për përfshirje në vrasje me porosi pas arratisjes së tij të parë nga burgu në 4 qershor 2006. Ai u kap përsëri në shtator 2006, i ndihmuar gjatë kohës së tij në arrati nga një i afërm shqiptar.

Autoritetet greke besojnë se arratisja e parë u organizua nga vëllai i madh i Paleokostas, Nikos, i kapur nga autoritetet gjithashtu në shtator 2006. Nikos Paleokostas, një kriminel i ashpër i dënuar për 16 grabitje bankash, iku nga i njëjti burg në fillim të viteve 1990.

Vassilis Paleokostas, ndërsa ishte në arrati pas arratisjes së tij të parë, dyshohet se organizoi rrëmbimin në qershor 2008 të industrialistit grek, Giorgos Mylonas, i cili u mbajt për 13 ditë derisa u pagua një shpërblim, ka raportuar Balkan Insight më 23 shkurt 2009.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat