Ekzekutimet e shiptarëve në Ekuador/ Ja si vrasësit me pagesë shfrytëzojnë zonat e tyre të preferuara për të “hequr qafe” trafikantët

Diaspora

Ekzekutimet e shiptarëve në Ekuador/ Ja si vrasësit me pagesë shfrytëzojnë zonat e tyre të preferuara për të “hequr qafe” trafikantët

Më: 14 shkurt 2022 Në ora: 21:40
Foto ilustrim

Trafiku i drogës, kryesisht i kokainës nga vendet e Amerikës Latine, veçanërisht nga Ekuadori për në vendet evropiane ka sjellë edhe përplasjen mes bandave duke përgjakur qytetet e këtij vendi. Në 22 janarin e këtij viti, 34 vjeçari Ergys Dashi u qëllua për vdekje në një restorant në qytetin e Guayaquilit, i cili është edhe një nga portet më të mëdhenj prej nga niset kokainë për në vendet perëndimore.

Pas hetimeve Dashi rezultoi se ishte i lidhur me trafikun e drogës në Amerikën Latine për llogari të rusëve dhe aziatikëve. Megjithatë, deri më tani autoritetet ekuadoriane nuk kanë arrestuar autorin e vrasjes së shqiptarit Dashi. Ekzekutimi i tij u regjistrua nga kamerat e restorantit, por sërish ato nuk kanë bërë të mundur sa duhet identifikimin e autorëve. Po ashtu edhe në shumë raste të tjera vrasjesh kamerat e sigurisë nuk funksionojnë ose kanë cilësi të ulët për të kapur pastër imazhet, veçanërisht në lagjet dhe rrugicat e qyteteve.

Vrasjet në shifra

Kamerat e sigurisë janë një nga elementët që policia ekuadoriane mbështetet për të gjetur autorët e krimeve të ndryshme, veçanërisht në qytetin e Guayaquilit ku vetëm vitin e kaluar ndodhën 1,365 vrasje nga vrasës me pagesë deri edhe tek vrasja e grave. Ndërsa vetëm në janar të këtij ky qytet regjistroi 183 vrasje, 108% më shumë se 88 vdekjet e raportuara në vitin 2021. Guayaquil është një nga qytetet me kriminalitetin më të madh në vend, dhe shumica prej tyre nuk janë kapur nga kamerat e sigurisë. Për këtë arsye autoritetet kanë ngritur alarmin për pajisjen e bizneseve dhe ambienteve tregtare, të mëdha e të vogla, me kamera sigurie të një cilësie të lartë, shkruajnë mediat ekuadoriane.

Deri më tani kamerat e sigurisë nuk mbulojnë zonat e rrezikshme duke iu dhënë hapësirë veprimi autorëve të krimeve të ndryshme apo vrasësve me pagesë. Parashikohet që në Guayaquil të instalohen 15 mijë kamera ku 1,800 prej tyre do të kenë një sistem që mund të njohë fytyrat e kriminelëve në rrugë, duke i kërkuar me fotot e tyre në bazën e tyre të të dhënave. Këto pajisje, të cilat regjistrojnë audio dhe video, mund të zbulojnë gjithashtu të dyshuarit ose automjetet që kanë kaluar të njëjtin vend më shumë se një herë.

Shqiptarët e arrestuar dhe të vrarë në Ekuador

Një nga shqiptarët e parë që mbërriti në Ekuador ishte Arbër Çekaj.  Në vitin 2009 ai themeloi firmën e eksportit të bananeve në Ekuador, të cilën me sa duket e përdorte për të fshehur lëndët narkotike përmes anijeve të mallrave. Në vitin 2015, ndaj Arbër Çekajt u hap një hetim për trafik droge.

Por pavarësisht procesit gjyqësor, ai vazhdonte të eksportonte çdo javë derisa në vitin 2018 u arrestua përfundimisht në Gjermani. Nga viti 2015 deri në vitin 2018, është verifikuar se ai ka eksportuar 3000 ton banane. Çekaj u ekstradua nga Gjermania për në Shqipëri ku aktualisht po vuan edhe dënimin.

Adriatik Tresa

Më pas, në vitin 2011 ishte Adriatik Tresa ai që mbërriti në Ekuador. Tresa do të mund t’i mbijetonte botës së krimit për vetëm 9 vite pasi në nëntor të vitit 2020 ai u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në La Aurora të Ekuadorit.

Autorët të veshur si efektivë policie hyn lehtësisht në rezidencën e Tresës dhe e qëlluan atë për vdekje. Sapo mbërriti në Ekuador Tresa u bë pronar i një zdrukthtarie dhe një farmacie. Ai u pikas nga autoritetet ekuadoriane dhe emri i tij u përmend në lidhje me vrasjen e gazetarit Fausto Valdiviezo në vitin 2013.

Që nga viti 2013, Tresa hetohej për pastrim parash, armë, drogë, madje edhe për vrasjen e gazetarit Fausto Valdiviezo.

Ai u procedua për pastrim parash, pasi së bashku me një shtetas tjetër iu gjetën 39.100 dollarë dhe 72.500 euro cash. Por një vit më pas gjykata ekuadoriane e shpalli të pafajshëm. Megjithtë, Tresa nuk do të jetonte gjatë pasi u ekzekutua në nëntor të vitit 2020.

Vrasja e Ilir Hidrit dhe arrestimi i Adriatik Tresës  

Në maj të vitit 2017, një tjetër shqiptar Ilir Hidri, u qëllua për vdekje në periferi të Guayaquilit. Hidri u ekzekutua nga persona të armatosur hipur mbi motoçikleta.

Po ashtu një tjetër shqiptar, tanimë nga Kosova, Remzi Azemi i cili ishte nipi i Hidrit – u plagos kur një person i armatosur e qëlloi atë teksa hapi xhamin e makinës së tij të blinduar për pirë një cigare.

Adriatik Tresa u arrestua si i dyshuar për vrasjen e Ilir Hidrit pasi iu gjet edhe një armë në shtëpinë e tij, por gjykata e shpalli të pafajshëm. Më pas Tresa u ekzekutua në nëtor të 2020-s.

Vrasja e malazezit Fadil Kaçaniç dhe gruas së tij, ekuadorianes, Elsa G

Vrasja e Tresës ishte e ngjashme me atë të vitit 2018, kur u ekzekutua malazezi Fadil Kaçaniç bashkë me gruan e tij ekuadoriane Elsa G., e cila punonte në aeroport. Fadil dhe Elsa G. u rrëmbyen ndërsa ishin duke fjetur dhe u vranë në mars 2018, në Guayaquil, shkruan El Universo.

Çifti u gjetën të vrarë në një nga rrugët që të çonin në bregdet. Në shtëpinë e tyre mbërritën persona me veshje policie, të cilët i rrëmbyen dhe më pas i dërguan drejt bregdetit duke i qëlluar në kokë. Kaçaniç nuk ushtronte asnjë aktivitet ekonomik në Ekuador. Por ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës pasi në vitin 2010, atij iu gjetën 18 kilogramë kokainë në bagazhin e tij, në aeroportin e Guayaquilit me destinacion Amsterdamin. Ai u dënua me 12 vite burg për t’u vrarë më pas në 2018.

Vrasja e Ergys Dashit

Rasti më i fundit është ai i Ergys Dashit. Dashi u qëllua më 22 janar të këtij viti në një restorant në veri të Guayaquilit. Autori qëlloi në kokë Ergys Dashin duke e lënë të vdekur në vend, teksa kishte hyrë me një buqetë me lule në restorantin plot me klientë.

Dashi ishte një nga drejtuesit e një bande shqiptare të trafikut të drogës. Ai ishte me precedent penalë mbi trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje edhe pse në Ekuador ai nuk kishte asnjë procedim penal.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat