Me rastin e 32 vjetorit, të “braktisjes” së kampit të interrnimit, Savër – Lushnje, një grup ish të interrnuar kanë kujtuar të dielën më 21 gusht, jetën e tyre, duke treguar historitë e tyre të jashtëzakonshme, sot përmes nji këndvështrimi shumë interesant, tani në botën e lirë.
LUSHNJE : Në qytetin e Lushnjes ish “ kryeqytetin” e Shqipërisë për kampet e punës, është mbajtur një takim përkujtimor, i cili nga tre ish të përndjekur politik Sofo Kuqeshi, Tefta Çapo- Mersini dhe Gëzim Baruti, është bërë tradicional dhe mbahet në fund të muajit gusht.
Ndërsa, për të shënuar 32 vjetorin e largimit të ish internnuarve, daljen në botë e lirë, familjet e tyre të cilat hynë në burgje dhe kampet mbas ardhjes së rregjimit të Enver Hoxhës të vitit 1944, u mblodhën së bashku në Memorialin e ish-të përndjekurve politik në Lushnje, i cili ngrihet në përkujtim të 32 mijë personave, që u dënuan pa u gjykuar…..për të kaluar gjithë jetën e tyre në kampet e interrnimit.
Disa prej tyre që kaluan vite të tëra në kampet e interrnimit aktualisht jetojnë në Shqipëri, kurse shumica janë të vendosur në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Angli, SHBA dhe Kanada, por ka edhe Sofo Kuqeshi që e ka ndërtuar jetën e tij në Savër por që sot secli prej tyre me nostaligji dhe me mall kujton Savrën, shoqërinë dhe bashkëvuajtjen e tyre.
Me rastin e 32 vjetorit, të “braktisjes” së kampit të interrnimit, Savër – Lushnje, kësaj radhe u bënë bashk më shumë se 20 ish të intetrrnuar të cilët me një ceremoni të thjesht kan kujtuar me 21 gusht, jetën e tyre, dhe, duke treguar historitë e tyre të jashtëzakonshme, sot përmes nji këndvështrimi shumë interesant, tani në botën e lirë.
Ishin pikërisht këta njerëz nga ky kamp interrnimi dhe familjet e tyre, fisnike, që ishin edhe krenaria dhe bukuria atij kampi, dhe atij vendi që për nga kultura dhe tradita, qysh në atë kohë dukeishin një “Parisë i vogël” në mes të Shqipërisë, që shumë pak njerëz në atë kohë e dinin se kush ishte Savra dhe banorët e saj.
Për takimin pati njoftime në rrjetet sociale si facebook si dhe me telefonata, thanë ata nisur me mesazhe nga tre organizatorët Sofo Kuqeshi dhe Tefta Mersini (motra e Eqerem, Hydai dhe Fadil Çapës) dhe Gëzim Barutit për të Ish të interrnuarit – ku si edhe ceka më lart shumica e tyre, jetojnë sot në perendim duke u mbledhur para Memorialit e ish të përndjekurve politik në Lushnje, dhe më pas ata u takuan në Savër.
Ky përvejtor nisi me vendosjen e një buqete me lule në vendin ku pikërisht është ngritur Memoriali i ish të përndjekurve politik në Lushnje, dhe më pas me vizita në ish-banesat e mbetura të ish të internuarve, kryesisht ato në zonat ku kanë qenë baraket e famshme me kallama dhe baltë, ku shumë pak gjurmë duken edhe tani.
Zëri i Amerikës korespondenti i saj për jugun Rajmond Kola ndoqi këtë takim përkujtimor dhe intervistojë pranë memorialt disa nga pjesamrrësit të cilët e bënë eventin shumë mallëngjyese dhe të paharrueshme nëpërmjet kujtimevevtë tyre .
Shqipëri, ish të internuarit e regjimit komunist tregojnë vuajtjet
21 gusht, 2022 - Raimond Kola
Video Zeri i Amerikes : https://www.zeriamerikes.com/a/6710626.html
Ish të internuarit e regjimit komunist
Në një memorial ku janë shkruar mbiemrat e familjeve të internuara në Shqipëri, që ngrihet në qytetin e Lushnjës u mblodhën sot së bashku dhjetëra persona që vuajtën internimet dhe dëbimet gjatë regjimit komunist.
Shumë prej tyre rrëfejnë historitë ndërsa në sfond duken këmbët e zbathura të memorialit që tregojne vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificën e përjetuar të këtyre familjeve.
Tina Çeliku nga Kukësi thotë se u internua në Savër që në 1959 dhe kaloi deri në vitet nëntëdhjetë vitet e jetës kur regjimi komunist u shemb.
“Deri në vitet nëntëdhjetë ne kemi qenë në Savër. Kemi qenë jetim vetëm me mamanë. Kemi lindur ne Gjirokastër , babanë e kemi pasur tregëtar, edhe sot e kësaj dite nuk ia dimë eshtrat ku i ka. Kur kemi ardhur në 1959 në Savër nuk kishim strehim, kemi ndenjur në kazermat e grave dhe burrave , siç quhej dhe është edhe sot. Atje kemi jetuar për disa vite. Pastaj mamaja u fut në punë dhe edhe ne si fëmijë të vegjël punonim dhe e ndiqnim mamanë nga pas”,thotë ajo.
Së bashku me nënën, tre motrat dhe një vëlla Tina thotë se asnjëherë nuk i reshtën dëshirat për jetën megjithëse ishin në kushte të vështira dhe sidomos ëndërrën për shkollim.
“S`të linte biografija të shkolloheshe ,bile shkolla e mesme në vitet në vazhdim u ndalua për të persekutuarit. Motra ime ndërhyri sa me zor për vëllanë që mbaroi të mesmen , ëndërra e tij ishte të vazhdonte por aty mbetëm”, thotë ajo.
Ndërsa Beqir Sina që sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thotë se në Savër kaloi 32 vite të jetës së tij. Ai madje ka lindur në këtë ish-kamp, pasi nëna e tij u internua kur ishte 7 muajshe shtatzënë.
"Unë sot jam 64 vjeç dhe 32 vite i bëra në Savër. Prej vitit 1957 unë jam i dënuar që në barkun e nënës pasi nëna ishte shtatëzënë 7 muaj kur na internuan në Savër", thotë zoti Sina.
Arratisja e babait thotë zoti Sina sollin internimin e familjes sipas ligjeve të kohës. Beqiri thotë se takime të tilla sjellin kujtimet e jetës në internim por edhe nderimin për qindra e mijëra që nuk jetojnë më.
“Bashkohemi dhe njeherë, ngjallim kujtimet tona dhe diskutojmë me njëri - tjetrin duke sjellë ato që kemi përjetuar. Përveç vështirësive që ka pasur kampi i internimit kemi pasur edhe gjërat e bukura të jetës qe i kujtojme se bashku. Kujtojmë dhe ata që nuk jetojnë sot, që na vjen keq shumë që kanë humbur jetën. Kemi një pjesëprej tyre që kanë ikur shumë të ri në moshë që nuk e gëzuan lirinë dhe demokracinë", thotë ai.
Kadri Pregjoni nga Tropoja thotë se kaloi jetën në ish-kampet e internimit në Lushnjë familjarisht nga vitet 1958 deri në vitin 1992.
“Kur erdhëm në Savër ishim baba, nëna , tre vëllezër dhe atje na lindën edhe një vëlla tjetër dhe dy motra. Dihet fëmijë shumë ,vuajte shumë deri sa u rritëm", thotë zoti Pregjoni.
Ndërsa Bedrie Kaba thotë se erdhi në Savër dy vjec dhe shpëtoi nga interrnimi më 1987 prej martesës së saj.
"Unë kam ardhur në moshën dy vjeç dhe largimi ishte që u martova në 1987 në Berat dhe atë ditë e kam quajtur dita e lirisë sime. E kam provuar në shpirt dhimbjen që të krijonte ai sistem. Jam ndoshta njeri i ndjeshëm, por të bënte të ndjeshëm. Lufta e klasave , veçimi dhe shumë gjëra të tjera", thotë zonja Kaba.
Simon Mirakaj erdhi në Savër, në vitet 1953 kur u mbyll kampi famëkeq i Tepelenës dhe kaloi me familjen një pjesë të dhimbshme të jetës së tij.
"Fillimisht jemi internuar në Berat në 1945 dhe me prishjen e marëdhënieve me Jugosllavinë na hoqën nga kampi Beratit në Kalanë e Beratit. Më pas na sollën në Tepelenë, fillimisht në Turan. Ishte dy kazerma ndërtuar nga italianët por ishin përdorur si stane për bagëtitë dhe atje nga mungesa e higjenës dhe ushqimit vdiqën brenda 24 orëve 30 fëmijë. U alarmua Ministria e Brendshme dhe na hoqën nga Turani dhe na çuan në Kampin e Tepelenës. Atje ishte një vend i rethuar me tela me gjemba ku vazhduan vdekjet .Pas vdekjes së Stalinit në 1953 na hoqën nga Tepelena dhe na prunë në Savër.Lushnja ishte një vend bujqësor që kishte nevojë për krah pune", thotë zoti Mirakaj.
Askush nuk largohej dot pa leje nga kampi. Apeli bëhej çdo ditë, e në raste fstash edhe disa herë në ditë thotë zoti Mirakaj.
"Shkonte gjithë viti me tre herë apel në ditë. Jemi liruar më 4 korrik të 1989 dhe t`i mbledhësh të gjithë vitet nga 1945 deri në 1989 janë 44 vite në kampe internimi", thotë ai.
Në Savër të Lushnjës, një nga ish-zonat e internimit tani ka ende gjurmë të barakave të vjetra ku jetonin ata që regjimi komunist i shpallte si armiq të popullit. Barakat dëshmojnë ende kushtet cnjerëzore të jetesës dhe në to ndonëse të braktisura ka ende gjurmë të jetës së familjeve gjatë regjimit komunist.
Ndonëse në këto vite ka pasur përpjekje nga shoqatat e të persekutuarve për t`i kthyer këto vende në zona të kujtesës, ato po shuhen . Me jetën e barakave plot histori vuajtjesh por edhe dritë lirie, në Savër përzihet tani jeta e re e banoreve edhemes dasmave dhe gëzimit.
Ndër të pranishmit mund të permend , edhe pjesmarrësit nga SHBA , Paulin Mrnaçaj nipi i Nikoll Marnaçajt me bashkëshorten Drita Vushaj , Elami Agolli, Dine Dineja. Simon dhe Leon Mirakën Luan Çeliku me bashkëshorten Nexhi dhe djalin e tij nga Belgjika, dhe e motra e tij Tina Kaca, Kadri Prengjonin, Gjergj Suljoti, Myftar dhe Shpëtim Berhamaj, Ylli Iljazi, me bashkëshorten Fiqerete , Tefta Mersini - Çapo nga Vlora, Sofo Kuqeshi dhe Gëzim Baruti .
Bedrije Kaba ishte me shoqen e saj Magdalena Buzi , ndërsa nga Tirana kishte erdhur Neritan Kolgjini i bri i Ahmeti Kolgjinit.
Pjesëmarësit në fund e mbyllën këtë ceremoni duke bërë disa fotografi dhe u takuan me mall si ish banorët e Savrës, ashtu siç ishin së bashku te internuar duke, shkuar në një restorant që ndodhet në afërsi të memorialit dhe shkëmbyen biseda interesante rreth jetës së tyre në interrnim dhe në vendet ku ata jetojnë tani.