Baba e bir në Rodos të Greqisë, të cilët dolën dje përpara drejtësisë, kanë dëshmuar para togave të zeza versionin e tyre se si u vra biznesmeni shqiptar Xhani Topalli. Hotelieri 53-vjeçar dhe i biri, 20-vjeç, u lanë në burg nën akuzën vrasje me dashje në bashkëpunim.
Djali 20-vjeçar i biznesmenit ka dëshmuar ka rrëfyer versionin e babait të tij duke thënë se në momentin që po zhvillohej sherri mes tyre, ka parë të atin dhe 46-vjeçarin në tokë.
Ai është afruar dhe ka parë që 46-vjeçari ishte në kurriz, nuk lëvizte dhe ka vënë re se në qafë kishte një litar të errët. I ati tregoi se i vendosi litarin në fyt shqiptarit për ta neutralizuar dhe ai ra pa ndjenja në tokë, duke goditur kokën në gur.
Kur larguan makinën e viktimës dhe trupin e 46-vjeçarit, i riu tregoi se e pyeti babanë nëse do të shkonin në spital dhe ai nuk u përgjigj.
Në momentin që i ati e zbriti nga mjeti pranë vendit ku kishte hedhur trupin e pajetë të shqiptarit, ai tha se shkoi për të parë se çfarë po bënte dhe pa makinën bosh, me çarçafin e përgjakur më pas babain e tij poshtë në një kanal dhe 46-vjeçarin e shtrirë me fytyrë përtokë.
Hotelieri tregoi se mbrëmjen e 29 gushtit shqiptari kishte shkuar i dehur në hotel dhe kishte dhunuar djalin e tij. Sipas 53-vjeçarit më pas ishte përleshur fizikisht me biznesmenin e ndërtimit dhe në një moment kishte marrë litarin në mjetin e tij për ta neutralizuar. Ai tha se në një moment 46-vjeçari nuk po reagonte dhe e liroi, duke rënë në tokë i pavetëdijshëm. Sipas tij shqiptari goditi kokën në gurët në tokë dhe humbi jetën.