Mbrëm në Büron të Luzernit (12.11.22), ishte një organizim i bukur me mikpritje të përzemërt tradicionale dhe program të pasur argëtues organizuar nga Shoqata Humanitare Kulturore „Salih Çekaj“ në Zvicër.
Edhe pse në mërgatë, kjo festë vazhdon të ruhet e kultivohet si traditë familjare e trashëguar brez pas brezi, edhe në mesin e vëllezërve e motrave tona që jetojnë e punojnë në Zvicër.
Kështu, së bashku, shprehim falënderimin për të mirat që na ka dhuruar Zoti, me punën që bëjmë, kudo jetojmë, nderojmë dhe lutemi që edhe motet e ardhshme të jenë të begatshme për të gjithë neve, për popullin shqiptar.
Organizimi i Darkës së Lamës mbrëm rastësisht u përshtat me muajin e festave kombëtare. Muaji nëntor është muaji në të cilin gërshetohen një varg ngjarjesh me karakter historik, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare dhe janë ngulitur thellë në vetëdijen e shqiptarëve. Rastësi apo me paramendim këto ngjarje janë të përfshira në një ditë të shënuar siç është 28 Nëntori, e cila është kthyer në datë-simbol të ngjarjeve me karakter historik për të gjithë shqiptarët.
Ky frymëzim për ta nderuar traditën, përmban thelbin e trashëgimisë kulturore, në nderim të ruajtjës së vlerave nga tradita e lashtë kombëtare shqiptare. Njëherit, duke e ditur rëndësinë tradicionale që ka kjo festë, Ish Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, Festën e Ditës së Falënderimit-“Darkën e Lamës” filloj ta zyrtarizoj dhe për çdo vit, më 24 tetor e organizonte si dhe e kishte cilësuar si një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.
Shoqatës Humanitare Kulturore „Salih Çekaj“ në Zvicër u shpreh mirënjohjen e thellë për kontributin që është duke dhënë në ndihma humanitare ndaj njerëzve në nevojë si dhe përgëzoj për organizimin e kësaj darke tradicionale.
Përgëzime e falenderime për mikpritësit e kësaj Shoqate, me kryetarin e saj zotni Xhemajl Haxhiu dhe mysafirët të ardhur enkas nga Gjermania dhe Italia në Zvicër; Osman Ferizi, Idriz Zeqiraj, Mentor Thaqi, Florim Zeqa, Gazmend Dashi, Maxhun Smajli etj., për përkushtimin atdhetar, dashurinë ndaj atdheut dhe ruajtjen e kultivimin e traditës shqiptare, kudo që jetojnë.
Ndërkaq, të pranishmit i argëtuan kengetarët e mirënjohur; vëllezërit Sami e Avni Alimusaj .
Në vazhdim të gjithë të pranishmit
u shërbyen me ushqime, gatime dhe pije nga tradita kombëtare shqiptare.
Zoti i dhasht begatinë dhe e bekoftë tokën e begatë Arbnore-Dardane dhe njerëzit e saj!
13 nëntor 2022
Haki Latifi