Tragjedia në Greqi/ Nëna shqiptare kërkon mes lotësh të birin

Diaspora

Tragjedia në Greqi/ Nëna shqiptare kërkon mes lotësh të birin

Më: 3 mars 2023 Në ora: 13:05
Mirela Ruçi

Pasojat e aksidentit tragjik mbajnë të mbërthyer opinionin publik në Greqi, por jo vetëm.

Në spitalin e Larisës familjarët e viktimave po marrin trupat e të dashurve të tyre në arkivole të mbyllura, ndërsa disa prej trupave të paidentifikuar mbahen në një kamion frigoriferik pasi morgu është i mbushur plot.

Sipas urdhërit të autoriteteve, identifikimi bëhet përmes ADN-së, në mënyrë që të afërmit të identifikojnë njerëzit e tyre që kanë humbur pas aksidentit. Midis prindërve fatkeqë që presin identifikimin e viktimave apo diçka të re për personat që konsiderohen të humbur, janë edhe ata të Denis Rucit, 23-vjeçarit me origjinë shqiptare që ndodhej në vagonin 5 të trenit të vdekjes.

“Nuk kemi asnjë informacion ku gjendet, ishte te një prej vagonave ku u shpëtuan shumë të rinj. Ju lutem të gjithëve, bëj apel ndaj gjithë atyre të rinjve që ndodheshin në këtë vagon nëse e panë, qëndronte në karrigen me numër 22. Nëse dikush do e njohë nga fotografitë ju lutem më njoftoni sepse nuk po e gjej djalin tim. Nuk e di në se ishte ulur në vendin e tij në momentin e përplasjes apo kishte shkuar në vagonin e restorantit”, thotë nëna e 23-vjeçarit, Mirela Ruçi.

Dje në mbrëmje është identifikuar edhe 23-vjeçarja me origjinë shqiptare Ifigjenia Micka. Vazhdojnë të trajtohen në Repartin e Mjekimit Intensiv të intubuar, shtetasi shqiptar Roberto Dristi 25 vjeç që ka thyerje në shumë pjesë të trupit, ndërsa 23-vjeçarja Anisa Liuri ka mbërritur dhe mjekohet në spitalin e traumës Papanikolau në Selanik.

Organet greke deklarojnë se janë identifikuar të paktën 30 viktima, 52 të afërm të pasagjerëve kanë kryer testin e ADN-së, ndërsa 55 teste janë marrë nga trupat pa jetë. Ekipet e shpëtimit kanë mbledhur 18 qese të posaçme me pjesë trupore të viktimave nga të cilat janë marrë edhe 26 teste ADN.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat