Një 22-vjeçare shqiptare në zonën e Volos përjetonte çdo ditë skena torturash, pasi bashkëshorti i saj 28-vjeçar e mbante të mbyllur atë dhe fëmijën e tyre 2 vjeç e gjysmë në shtëpi për dy vite të tëra, ndërsa dhunonte çdo ditë të renë.
TheNewspaper.gr, raporton se skenat e tmerrit që ka pësuar vajza janë zbuluar mbrëmjen e së enjtes kur fqinjët kanë dëgjuar britmat e saj nga brenda shtëpisë.
Kur kanë trokitur me forcë në derë, 28-vjeçari shqiptar e ka hapur atë dhe ka tentuar të arratiset, ndërsa banorët e kanë kapur.
Ai u mbajt nga banorët derisa policia mbërriti në vendngjarje dhe e vendosi në pranga.
Mbrëmjen e së enjtes (21 shtator), 28-vjeçari pasi e dhunoi bashkëshorten e ka kapur për qafe të renë duke tentuar ta mbysë.
Në një dëshmi rrëqethëse, 22-vjeçarja ka deklaruar se i shoqi e rrihte çdo ditë, ndërsa në dy raste të tjera e kishte lënë në një situatë shumë më të keqe se ajo në të cilën u gjend kur e shpëtuan komshinjtë. Por këtë herë ai ishte shumë pranë për ta vrarë.
Çifti u martua në Shqipëri kur vajza ishte vetëm 18 vjeçe, në një martesë “të detyruar” dhe të rregulluar nga familja e saj. Rreth një vit e gjysmë më vonë u bënë me fëmijë dhe dy vite më parë, në vitin 2021, 28-vjeçari u shpërngul me të renë dhe foshnjën në Greqi, në një zonë pak jashtë Volosit, ku punon si ndërtues.
Me shpërnguljen në Greqi nisi një histori ekstreme izolimi dhe abuzimi, e cila zgjati dy vite të tëra. Burri e mbajti 22-vjeçaren dhe fëmijën të mbyllur dhe të izoluar plotësisht në shtëpi. Mësohet se fëmija nuk ishte dërguar asnjëherë te mjeku.
Vajza, e cila nuk kishte askënd të sajin apo dikë që njihte në qytet, mbeti plotësisht e izoluar. Ajo nuk mësoi kurrë greqisht, pasi 28-vjeçari nuk e linte të kishte kontakt me askënd. Në dy vitet e burgimit, në pesë muajt e fundit ajo nuk e pa as dritën e diellit, pasi e kishte të ndaluar edhe të dilte në oborrin e shtëpisë.
Gjatë gjithë kësaj kohe ai e mbajti atë rob, jo vetëm duke e kthyer shtëpinë e tyre në burg e vend torturash, si dhe duke i ndaluar çdo njohje apo miqësi në një mjedis të huaj, por edhe duke e shantazhuar përditë. Ai e kërcënoi se do të shkonte në Shqipëri dhe do t’i vriste prindërit e saj nëse 22-vjeçarja do t’i tregonte familjes se çfarë po kalonte ose do të përpiqej të largohej.
Makthi i 22-vjeçares mori fund kur fqinjët e saj shkuan në banesën e tyre dhe i shpërtuan jetën. E reja dhe fëmija i saj janë në gjendje të mirë dhe u dërguan në një vend të sigurt.
28-vjeçari ndodhet në paraburgim, ndërsa përballet me ndjekje penale për izolim të zgjatur dhe lëndim trupor, vepër që sipas kodit të ri penal barazohet me dëmtim të rëndë.