Janë shokuese detajet që zbulohen nga krimi i ndodhur në Greqi ditën e mërkurë kur një 50-vjeçar shqiptar vrau me armë kunatin e tij.
Fatmir Telellari, kishte vetëm katër ditë që kishte mësuar për abuzimin seksual që kishte pësuar vajza e tij që në moshën 9-vjeçare dhe shantazhin që i ka bërë viktima për të mos folur. Vajza e tij 18-vjeçare nuk i kishte treguar emrin e përdhunuesit , diçka që ka ndodhur pas shumë presioneve të të atit mëngjesin e së martës dhe teksa të dy ndodheshin në zyrën e avokatit për këtë rast. Vetë ai për mediat greke tregon se çfarë kishte ndodhur.
“Ai në fakt i ka kërkuar shpjegim vajzës së tij për fatin e parave që i kishte dhënë. Vajza e tij u detyrua nën këtë presion që t’i bënte këto zbulime. Më pas, pas presionit të mëtejshëm, ai i zbuloi edhe atij se kush ishte personi që i bënte këto gjëra dhe që atëherë ai ishte mjaft i pikëlluar dhe mërzitur. U përpoq të kërkonte një shpjegim dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi.”
E reja i tregoi babait të saj mesazhet që i kishte dërguar kunati nga martesa e tij e dytë.
Në njërën prej tyre, Erjon Pelivani shantazhonte 18-vjeçaren duke i thënë se nëse ajo nuk i jepte paratë që i kishte kërkuar, të gjithë do të merrnin vesh për fotot dhe videot që ai kishte realizuar teksa e përdhunonte.
Sipas asaj që shkruajnë mediat greke 33-vjeçari i kishte vënë syrin vajzës së dhëndrit që në moshën 9-vjeçare. Ai ka përfituar nga mungesa e prindërve teksa ata ishin në punë duke ju afruar dhe ngacmuar më pas të miturës.
33-vjeçari dyshohet se e ka përdhunuar vajzën 3-4 herë, që nga mosha 12 deri në 14 vjeç, duke filmuar në të njëjtën kohë veprimet e tij të pahijshme me celular.