Suksese politike të diasporës shqiptare në Belgjikë, Suedi e Zvicër

Diaspora

Suksese politike të diasporës shqiptare në Belgjikë, Suedi e Zvicër

Nga: Ferid Shehu Më: 4 korrik 2024 Në ora: 17:55
Foto ilustrim

Arba Kokallari (Suedi), ishte prej 2019 deri në 2024 deputete e Parlamentit Europian. Adnan Dibrani tani është deputet i Parlamentit Europian, ndërsa Aida Brinxhiku tani është deputete e Parlamentit të Suedisë. Islam Aliaj tani është deputet i Parlamentit të Zvicrës. Kristela Bytyçi tani është zgjedhur deputete e Parlamentit të Regjionit të Brukselit.

Më 9 qershor 2024, u mbajtën në Belgjikë zgjedhje për deputetë të Parlamentit Europian, Parlamentit federal Belg dhe ato Regjionale: për deputetë të Regjionit të Brukselit, Regjionit të Walonisë dhe Regjionit të Flandrës. Në këto zgjedhje morrën pjesë 23 kandidate belgo-shqiptarë. Më poshtë po i japim rezultatet. Më shumë pati kandidatë për deputetë të Parlamentit të Regjionit të Brukselit: ishin 16 kandidatë.

E vetmja që fitoi, ishte Kristela Bytyçi (MR- Partia Reformatore), parti liberale frankofone belge. Ajo mori 1.625 vota preferenciale. Kristela ka mbaruar shkencat politike në Bruksel. Ajo punon nëpunëse në zyrë të Komisionit Europian në Bruksel. Ka ardhur 8 vjet në Belgjikë me familjen e saj. Eshtë me perspektivë të mirë. Ajo ka arritur suksese me disa aktivitete për kauzën shqiptare duke u afruar dhe bashkëpunuar me dy figura markante të partisë së vet: Louis Michel dhe sidomos Michel De Maegd, gazetar dhe politikan i njohur në Belgjikë. Kristela është 36 vjeçare me origjinë nga Tropoja. Ajo në zgjedhjet e vitit 2019 ishte kandidate për deputete të Regjionit Brukselit dhe i kishte marrë 667 vota. Kristela në zgjedhjet lokale të vitit 2018 në komunën Ganshoren të Brukselit kishte marrë 86 vota.

Kandidatët tjerë që kandiduan por nuk fituan:

Amet Gjanaj (PS), mori tani 2.853 vota. Ka mbaruar Fakultetin Ekonomik dhe është 56 vjeçar. Me origjinë nga Kukësi. Eshtë Drejtor për ekonomi në qeverinë komunale të Molenbekut të Brukselit. Në zgjedhjet e vitit 2019 ai ishte kandidat për deputetë të Parlamentit Europian, mori 24.377 vota dhe nuk fitoi. Ameti në zgjedhjet komunale të vitit 2006 i kishte marrë 726 vota dhe u zgjodh Këshilltarë komunal në komunën Molenbekut të Brukselit. Në zgjedhjet federale të vitit 2007 Amet Gjanaj i mori 3.700 vota, por nuk fitoi. Në zgjedhjet e Regjionit të Brukselit në vitin 2009, Ameti ishte kandidat për deputet dhe i mori 2.853 vota por nuk fitoi. Në zgjedhjet komunale të vitit 2012 Ameti ishte kandidat për këshilltar komunal të Molenbekut dhe fitoi me 1.009 vota. Në zgjedhjet e Regjionit të Brukselit të vitit 2014 Ameti fitoi 3.380 vota dhe u zgjodh deputet i Regjionit të Brukselit. Në zgjedhjet e vitit 2018 Ameti ishte kandidat për këshilltarë komunal dhe me 1.128 vota mori ulësen e Këshilltarit komunal në Molenbek.

Habibe Duraki (PS), është 36 vjeçare, në zgjedhjet komunale të vitit 2018 u zgjodh Këshilltare komunale në komunën Evere të Brukselit me 472 vota. Në zgjedhjet e Regjionit të Brukselit në vitin 2019 ajo mori 2.403 vota, ndërsa tani mori më pak 2.016 vota dhe nuk fitoi. Habibja është juriste me origjinë nga Shkupi, ajo është Drejtoreshë për kulturë në qeverinë komunale në komunën Evere të Brukselit.

Laure Lita (MR), tani humbi për deputete të Regjionit të Brukselit me 1.771 vota. Poashtu, ajo edhe në zgjedhjet e Regjionit të Brukselit në vitin 2019 mori vetëm 760 vota. Në zgjedhjet komunale të vitit 2018 Laure mori 274 vota në Schaerbeek por nuk fitoi. Ajo është e re dhe ka mbaruar fakultetin. Babai i saj është me origjinë nga Kukësi.

Qendresa Gërlica (PS), tani i mori 1.588 vota si kandidate për deputete të Regjionit të Brukselit, poashtu në zgjedhjet e vitit 2019 ajo i mori 1.943 vota, por në të dyja zgjedhjet humbi. Ajo në zgjedhjet komunale të vitit 2018 ishte kandidate për këshilltare komunale në komunën Bruxelles Ville dhe mori 695 vota por humbi. Në afishet e saja elektorale ajo shkruan se ka qenë Këshillëtare komunale në Bruxelles Ville për një kohë dhe tani është Këshilltare në Qendrën për punë sociale në Bruxelles Ville. Qëndresa Gërlica është 31 vjeçare ka mbaruar shkollën e mesme dhe punon bashkë me Luiza Durakin në Ministrin e Arsimit të Federatës Walloni Bruksel. Ajo është me origjinë nga Kosova.

Fatmir Limani (PS), tani morri 1.423 vota dhe nuk fitoi për deputet të Regjionit të Brukselit. Ai ishte kandidat në zgjedhjet komunale në Kokelberg të Brukselit në vitin 2006 dhe mori 267 vota dhe u zgjodh Këshilltarë komunal, sikur edhe në zgjedhjet komunale të vitit 2012. Fatmiri në 2014 ishte kandidat për deputet federal dhe mori 3.655 vota, por nuk fitoi. Ai ishte gjithashtu kandidat për deputet të Regjionit të Brukselit në vitin 2019 dhe nuk fitoi. Fatmir Limani është 62 vjeçar. Eshtë profesor i artit dhe me origjinë nga Shqipëria.

Ornela Prifti (PS), tani ajo mori 1.292 vota dhe nuk fitoi për deputet të Regjionit të Brukselit. Ajo ishte kandidate për këshilltare komunale në komunën Koekelberg në vitin 2012 dhe mori 138 vota por nuk fitoi. Poashtu, në zgjedhjet komunale të vitit 2018 ajo mori 245 vota. Ajo ka mbaruar fakultetin juridik dhe punon në Bruksel, është me origjinë nga Shqipëria.

ALEKSANDRA KOKAJ (Ecolo), parti frankofone, ajo ishte kandidate për deputete të Regjionit të Brukselit tani dhe mori 1,257 vota, por nuk fitoi. Ajo në vitin 2018 ishte kandidate për këshilltare komunale në komunën Uccle të Brukselit dhe fitoi zgjedhjet me 609 vota. Ajo është arsimtare në një shkollë në Bruksel dhe ka 43 vjet. Me origjinë nga Shqipëria.

VIOLETA ULAJ (NVA), parti nacionaliste flamane, ajo mori 438 vota.

JUNIN GJONI (NVA), parti nacionaliste flamane, kjo parti fitoi zgjedhjet në Belgjikë në të gjitha nivelet. Junin mori 332 vota. Me origjinë është nga Kosova. Eshtë 31 vjeçar.

ARSIM JAKUPI (Defi), parti frankofone, tani mori 291 vota si kandidate për deputete të Regjionit të Brukselit, po ashtu në zgjedhjet e vitit 2019 i kishte marrë 664 vota, në të dyja humbi. Arsimi në zgjedhjet e vitit 2018 ishte kandidat për këshilltarë komunal në komunën Evere dhe fitoi ulësen me 291 vota. Ai është me origjinë nga Kumanova, ka mbaruar shkollën e mesme dhe punon si ndërmarrës i pavarur në biznes, është 36 vjeçar.

REXHEP BAKALLI (Defi), parti frankofone, tani mori 272 vota. Është i ri dhe specialist i shërbimeve financiare në administratë në Bruksel.

MIRA KALOSHI (Open VLD), parti liberale flamane, tani mori 280 vota. Ka mbaruar fakultetin dhe ka punuar në sektorin e politikës së komunikimit në Bashkimin Europian në Bruksel, është e re dhe me origjinë nga Shqipëria.

DIELLEZA BLAKÇORI (Vooruit, partia Socialiste flamane në Brusel), tani mori 269 vota, është 36 vjeçare me origjinë nga Kosova, ka mbaruar Fakultetin në Bruksel.

BUKURIJE SULAJ (Transparence), tani mori 58 vota.

ISOL LITA (Transparence), mori 90 vota.

Për Parlamentin e Regjionit Walonis ishte vetëm një kandidate: EDONA SULEJMANI (MR), ajo mori 2,022 vota dhe nuk fitoi. Ajo ishte kandidate për këshilltare komunale në komunën Huy në vitin 2018 dhe mori 126 vota. Punon në fushën e Estetikës dhe jeton në Huy. Ka mbaruar shkollën e mesme dhe është 37 vjeçare, me origjinë nga Presheva.

Në Parlamentin e Regjionit të Flandrës kandidate ishte për deputete: FATJONA HOXHA (Groen), 26 vjeçare mori 2,791 vota dhe nuk fitoi.

Për Parlamentin federal të Belgjikës u kandiduan 4 kandidatë dhe asnjë nuk fitoi:

LUIZA DURAKI (PS), tani mori 3,632 vota. Ajo është 29 vjeçare dhe me origjinë nga Shkupi. Në zgjedhjet e vitit 2019 ishte poashtu kandidate për deputete federale dhe i kishte fituar 4,865 vota. Në zgjedhjet komunale të vitit 2018 ajo ishte kandidate për këshilltare komunale në Anderlecht të Brukselit dhe mori 530 por nuk fitoi. Më pas PS e bëri Këshilltare komunale në Anderlecht, pasi që një koleg i saj e liroi postin dhe shkoi me një vend tjetër. Ajo është juriste dhe punon në Ministrinë e Arsimit të Federatës Walloni-Bruksel.

ELISA MURIQI (Open VLD), parti liberale flamane, tani mori 2,630 vota por nuk fitoi. Ka mbaruar shkencat politike në Belgjikë dhe punon në administratën shtetërore si Këshilltare e Sekretares së shtetit Alexia Bertand. Është 30 vjeçare dhe me origjinë nga Kosova. Në zgjedhjet e vitit 2019 si kandidate për deputete federale i kishte fituar 3,050 vota. Në zgjedhjet komunale të vitit 2018 ajo ishte kandidate për këshilltare komunale në komunën Vilvoorde të Flandrës dhe mori 371 vota por nuk fitoi.

VISARA SELIMI (CDV), parti flamane, ajo mori 715 vota. Është 28 vjeçare ka mbaruar Fakultetin juridik dhe punon në Ministrinë e Brendshme federale belge si shefe e projekteve në gjuhën nerlandofone. Me origjinë është nga Shqipëria.

LEORAT BERISHA (Belg-Unie), parti flamane, tani fitoi 155 vota.

Kandidatë për Parlamentin Europian ishin:

SHQIPËRIM THAÇI (Ecolo) fitoi 1,825 vota në pjesën gjermanofone të Belgjikës dhe i duheshin edhe 9,211 vota për të fituar. Është 36-vjeçar, ka mbaruar fakultetin, ka punuar edhe si këshilltar diplomatik. Është me origjinë nga Kosova, ka jetuar një kohë në Gjermani dhe Zvicër. Ka ardhur në Belgjikë në moshën 16 vjeçare.

EMINE CERKINAJ (PVDA) parti punëtore belge flamane, është studente 25-vjeçare me origjinë nga Kosova. Në zgjedhjet për deputetë të Parlamentit Europian mori 16,086 vota, por nuk fitoi. I duheshin edhe 32,427 vota për të fituar. Ajo jeton dhe punon në Flandër.

Të dhënat mbi rezultatet e votave preferenciale janë marrë nga gazetat belge si "La Derniere Heure" të datës 11 qershor 2024. Poashtu, rezultatet nga vitet e mëparshme janë marrë nga gazetat belge: Le Soir dhe La Libre Belgique. Disa të dhëna tjera janë marrur nga shkrimet e mia në faqet e diasporës të gazetave shqipe: Bota Sot, Zeri, Fakti dhe Koha Ditore.

Duhet theksuar se në Belgjikë ka pasur rezultate modeste në politikë. Përveç kandidatëve të lartëpërmendur në Belgjikë, në zgjedhje lokale më parë kanë fituar edhe Nermine Kumanova (Ecolo) në Namur, Lulzim Mustafa (PS) ka fituar 2 mandate në Huy, Gezim Sulejmani (Ecolo) ishte këshilltar komunal në Schaerbeek në vitet 1997-1999, si edhe: Tulay Nallban (PS), Burim Demiri (Defi) dhe Kevin Likaj (Defi) në Schaerbeek, secili me një mandat. Poashtu, Behar Sinani (PS) në Jette të Brukselit, Muhamet Begaj (PS) në Saint Josse të Brukselit, dhe Deniza Miftari (Groen) në Flandër në komunën Roesellare, kanë fituar nga një mandat.

MOSHA E ARTE PËR POLITIKË: 50 DERI 59 VJET TË DEPUTETËT E PARLAMENTIT EUROPIAN DHE TË DEPUTETËT DHE SENATORËT AMERIKANË DHE FRANCEZ

Mosha mesatare e kandidatëve belgo-shqiptar është 38 vjet, ndërsa mosha mesatare e rreth 500 deputetëve të Belgjikës të të gjitha niveleve të zgjedhur tani është 47 vjeçare. Nikolas Sarkozy, ish president i Francës, në librin e tij "Passions", botuar në 2019 në Paris, thotë: "Rinia është atu me i fituar zgjedhjet, por është e dobët me udhëhequr pushtetin. Këtë e kam përjetuar vet, kur u bëra ministër Jacques Chirac më tha këto fjalë, nuk më erdhi mirë dhe unë iu pata hidhëruar, por më vonë u binda se ai kishte të drejtë".

Mërgata shqiptare në Belgjikë ka arritur suksese më të vogla në politikë në krahasim me ato në Suedi dhe Zvicër. Është për të ardhur keq që një grup i politikanëve të mirë, ata punojnë mirë gjatë mandatit të tyre, por nuk votohen prapë sepse ata pa të drejtë votuesit i përzien me politikan të pandershëm dhe natyrisht që humbin. Sepse për këta të mirët bëhet propagandë negative (sidomos në rrjetet sociale) dhe fitojnë të këqinjët, e thotë shkrimtarja franceze Chloe Morin në librin e saj, "On a le politique qu'on mérite" (Ne kemi politikan që meritojmë).

PSIKOLOGJIA POLITIKE para 50 viteve është themeluar në SHBA dhe kjo studion personalitetin e atyre që na udhëheqin. Me poshtë po i citojmë tri libra nga kjo lëmi: Pascal de Sutter, psikolog belg i cili punon në NATO, në librin e tij "Ces fous qui nous gouvernent" (Këta të çmendur që po na qeverisin) thotë: "Pushteti është një drogë që e bënë të çmendur cilin do që e shijon", ai e merr këtë citat nga ish presidenti francez Francois Mitterand. Disa veti tipare të një politikani: "1. Megaloman që synon majat e pushtetit. 2. Pak paranoik, 3. Lehtësisht psikopat për të eliminuar kundërshtarët politik. Autori citon mediat "se Silvio Berluskoni ishte megaloman, Nicolas Sarkozy hiperaktiv i sëmurë."

Dy autoret francezë, Pierre Rentechniek dhe Pierre Accoce në librin e tyre: "Ces malades qui nous gouvernent" (Këta të sëmurë që po na udhëheqin), pohojnë: "Duhet patur parasysh mentalitetin e veçant të këtyre të sëmurëve që po na udhëheqin, të cilët refuzojnë në njërën anë ta pranojnë se gjendja e tyre shëndetësore nuk është në përputhje me udhëheqjen e një vendi shteti apo një ushtrie." Ata marrin shembuj: Boris Jellcin, Ronald Regan, Francois Mitterand, Saddam Hysein etj. Andre Santini, ish ministër në qeverinë e Francës dhe ish Nënkryetar i Parlamentit të Francës, në librin e tij "Ces imbeciles qui nous gouvernent" (Këta budallenj që po na udhëheqin), bënë kritika shumë të ashpra për të zgjedhurit: "1. Sepse ata bëjnë gabime shumë të mëdha, 2. Është shumë befasuese se ata nuk i njohin fare dosjet e punës së tyre, 3. Disa kanë elemente burokratike në sjelljet e tyre, 4. Ata kanë besim të tepërt te teknokratët që i angazhojnë si bashkëpunëtorë dhe këta teknokratë bëhen shumë të fuqishëm në politikë, 5. Ata janë fajtorë sepse nganjëherë në mënyrë shumë të lehtë i shpërndajnë fondet publike."

Eshtë shpresëdhënëse fakti se disa kandidatë për deputet belgo-shqiptar kanë marrë poste partiake në Forume Rinore, apo degë të partive, sepse kjo është rruga më e mirë për të avancuar në politikë. Poashtu, disa prej tyre punojnë si kuadro në vende pune si Komisioni Europian, Bashkimi Europian, Ministrinë e Brendshme federale belge apo Këshilltarë e Sekretarë shtetit, apo si këshilltar diplomatik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat