Një aksident i rëndë ka ndodhur në Itali, ku një i ri shqiptar (24 vjeç), nën efektin e alkoolit dhe drogës shkaktoi aksident dhe për pasojë vdiq partnerja e tij 24-vjeçare, Mariagrazia Bedin, me origjinë nga Sabaudia.
Siç bëjnë me dije mediat italiane, nga aksidenti mbeti e lënduar dhe foshnja e tyre 6 muajshe që ndodhej në mjet me ta, ndërsa dy fëmijët më të mëdhenj ndodheshin me gjyshërit e tyre, të cilët ishin me makinë, pas mjetit të 24-vjeçarit të identifikuar si Ali Hoxha.
Në rrugën Sant’Anastasia, papritur Hoxha ka humbur kontrollin dhe makina ka dalë nga rruga, duke u përmbysur. Menjëherë kanë ndërhyrë ambulancat e 118, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje së bashku me zjarrfikësit për nxjerrjen e të plagosurve nga mjeti.
Për fat të keq, megjithatë, për nënën e re nuk kishte mbetur asgjë për t’u bërë. Ndërsa fëmija e tyre dhe po ashtu motra e viktimës që ishte në mjet me ta ndodhet në spital.
Në spital përfundoi edhe 24-vjeçari, i cili iu nënshtrua, si zakonisht, testeve toksikologjike dhe alkomateriale, ndaj të cilave doli pozitiv.
I riu u shoqërua nga efektivët e policisë rrugore të Formisë për në shtëpinë e tij dhe iu nënshtrua arrestit shtëpiak.