Shqiptaria, letër të hapur drejtuar bashkatdhetarëve: Identiteti e kultura jonë, të kërcënuara nga rrymat e huaja

Diaspora

Shqiptaria, letër të hapur drejtuar bashkatdhetarëve: Identiteti e kultura jonë, të kërcënuara nga rrymat e huaja

Më: 1 shtator 2024 Në ora: 11:50
Ilustrim

Në një letër të hapur drejtuar bashkatdhetarëve në diasporë, Organizata Shqiptaria shprehen të shqetësuar për siç thuhet kërcënimin e kulturës sonë shqiptare nga globalizimi dhe rrymat e huaja, veçanërisht për shqiptarët që jetojnë në mërgim.

“Ndodhemi në një kohë kur identiteti dhe kultura jonë shqiptare janë më të kërcënuara se kurrë nga globalizimi dhe rrymat e huaja, veçanërisht për ata prej nesh që jetojnë në mërgim. Fëmijët tanë, pasuria jonë më e madhe, po rriten larg atdheut, dhe është në dorën tonë të sigurohemi që ata të ruajnë rrënjët e tyre kombëtare, gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar”, thuhet në letrën e hapur të Organizatës Shqiptaria.

Më tej thuhet se në këtë kontekst, ‘ju bëj thirrje nga zemra që fëmijët tuaj t’i edukoni në frymën kombëtare shqiptare. Është thelbësore që ata të ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe në shkollat publike, për të mbajtur gjallë lidhjen me origjinën e tyre dhe për të kuptuar thellësisht historinë, traditat dhe kulturën tonë të pasur. Gjuha shqipe është shtylla kryesore e identitetit tonë, dhe pa të, ne humbasim një pjesë të rëndësishme të vetvetes’.

Sipas Organizatës Shqiptaria, gjithashtu, është e domosdoshme që fëmijët të shoqërohen dhe të takohen vetëm në klube ku promovohen programet kulturore shqiptare dhe ato të vendeve mikpritëse në të cilat jetoni, si në Angli, Zvicër, Gjermani, Itali, Francë dhe kudo që ndodheni në shtetet perëndimore. “Këto janë vendet ku kultura perëndimore dhe ajo shqiptare takohen dhe bashkëveprojnë, duke ofruar një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm për zhvillimin e fëmijëve tuaj”, thuhet më tej në letër.

Në këtë drejtim, Organizata Shqiptaria kërkon nga qeveria e Kosovës që përmes Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, të ndajë fonde të posaçme për klube dhe shoqata kulturore që promovojnë kulturën dhe mësimin e gjuhës shqipe në shkollat publike.

“Këto fonde duhet të shërbejnë për të sponsorizuar arsimtarët që punojnë në diasporë, duke siguruar kështu që edukimi i fëmijëve tanë të mbetet në duar të sigurta dhe të përkushtuara. Po ashtu, kërkojmë që qeveria të mos lejojë që këto aktivitete të keqpërdoren nga bashkësitë fetare, të cilat mund të devijojnë fëmijët tanë nga rruga e duhur e edukimit dhe integrimit në shoqëritë ku jetojnë", thuhet më tej në letër.

“Në të njëjtën kohë, ju bëj thirrje që të shmangni dërgimin e fëmijëve tuaj në xhami dhe klube islame të dyshimta. Këto institucione jo vetëm që i shkëpusin nga kultura shqiptare, por gjithashtu krijojnë pengesa për integrimin e tyre të plotë në shoqërinë perëndimore. Shkëputja nga gjuha dhe kultura jonë, e kombinuar me ndërtimin e lidhjeve me kultura dhe raca të ndryshme, mund të çojë në humbjen e identitetit shqiptar dhe përzierjen e tyre në shoqëri të cilat janë tërësisht të kundërta me kulturën tonë dhe me vlerat perëndimore”, thuhet në letrën e hapur të Organizatës Shqiptaria.

Në fund thuhet se “është evdident presioni dhe misioni për rekrutime të të rinjëve tanë në grupe terroriste prandaj mos vajtoni nëse fëmijët tuaj bëhen terroristë apo xhihadistë islamikë, sepse kjo do të jetë pasojë e neglizhencës sonë si prindër. Është koha të marrim përgjegjësinë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Nëse dëshirojmë që shqiptarët të mos zhduken e të mos tkurren si komb, atëherë duhet të jemi vigjilentë dhe të qëndrueshëm në ruajtjen e identitetit tone”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat