“139 mijë funta për qira” - Media britanike zbulon jetën luksoze të Fation dhe Isuf Dautit

Diaspora

“139 mijë funta për qira” - Media britanike zbulon jetën luksoze të Fation dhe Isuf Dautit

Më: 4 shtator 2024 Në ora: 10:38
Fation dhe Isuf Dauti

Media britanike ‘Daily Express’ i ka kushtuar një artikull vëllezërve shqiptarë Isuf dhe Fation Dauti, për veprimtarinë e tyre kriminale në Mbretërinë e Bashkuar.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Fatjon Dauti, u përfshi në një sherr pranë rrethrrotullimit të Saukut në Tiranë me futbollistin Marjo Bajramaj, pas konfliktit që kishin nisur partneret e tyre për shkak të gërvishtjes së makinave me të cilat po udhëtonin.

Artikulli i ‘Daily Express’:

Fation dhe Isuf Dauti erdhën në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht, por më vonë iu dha leja e pacaktuar për të qëndruar, pasi ata u martuan me gra nga vendet e BE. Kështu shkruan gazeta britanike “Express” për dy vëllezërit shqiptarë.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), thuhet se ata udhëhoqën një bandë të madhe të krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës në Londër. Fation Dauti, 39 vjeç, dhe Isuf Dauti 32-vjeç tani nuk mund të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar pas dështimit të ankesave të tyre kundër urdhrave të ndalimit të Home Office.

Të dy vëllezërit, erdhën në Britani ilegalisht, morën leje të pacaktuar për të qëndruar përmes martesave me shtetase nga Letonia dhe Bullgaria. Megjithatë, ata ishin në gjendje të bënin jetë luksoze, duke shpenzuar për makina sportive dhe blerje në dyqane të shtrenjta si Harrods, pavarësisht se kishin të ardhura të pamjaftueshme.

Pavarësisht se kishte të ardhura të përbashkëta me gruan e tij (tashmë të ndarë) prej 26,000 deri në 30,000 £ në vit, në gjashtë vitet midis 2015 dhe 2021 ata shpenzuan rreth 139,000 £ në qira, duke përfshirë 2,700 £ në muaj për një vit për të marrë me qira një apartament në Chelsea nga korrik 2019.

Më 28 gusht, Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit (SIAC) hodhi poshtë ankesën e Isuf Dautit kundër refuzimit të Home Office. Po ashtu, Fation Dauti kishte humbur më parë një apel për revokimin e lejes së qëndrimit, pas kthimit të tij në Shqipëri në vitin 2021, për shkak të një dosjeje provash që e identifikonte si rrezik për sigurinë kombëtare.

Fation Dauti, gjithashtu i njohur si Fation Dautaj, kishte mbërritur në Britani në moshën 14-vjeçare dhe kishte marrë leje të përkohshme qëndrimi në vitin 2012, për shkak të martesës me një shtetase letoneze. Ai mori leje të përhershme në gusht 2017, por ajo u revokua në shtator 2019, bazuar në informacionet e NCA, e cila po hetonte rrjetin e tij, pa mundur ta akuzonte për ndonjë vepër konkrete.

Gjatë një kontrolli kufitar në Dover, u gjetën foto të Fation Dautit me armë të ndryshme në telefonin e tij, duke përfshirë një kallashnikov dhe një pistoletë izraelite. Fation Dauti, i cili kishte jetuar në Britani që nga viti 2012, mohoi përfshirjen në krim dhe argumentoi gjatë apelimit se kishte lidhje vetëm me disa anëtarë të tjerë të bandës.

Nga ana tjetër, Isuf Dauti pretendoi se nuk kishte ndonjë lidhje me krimin e organizuar dhe kërkoi të anulonte vendimin që e ndalonte kthimin e tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, autoritetet arritën në përfundimin se Isuf Dauti ishte anëtar i bandës dhe i përfshirë në importimin dhe shpërndarjen e drogave të klasit A, si dhe në pastrim parash. Edhe pse autoritetet nuk gjetën prova për përfshirjen e tij në kontrabandën e njerëzve, përsëri ankesa e tij u hodh poshtë.

Pjesa më e madhe e provave të NCA iu dha panelit të SIAC në seancat e fshehta “të mbyllura” për arsye të sigurisë kombëtare dhe një vendim i veçantë i mbyllur nuk është publikuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat