Një operacion i përbashkët i autoriteteve italiane, shqiptare, zvicerane dhe polake, i koordinuar nga Eurojust, çoi të mërkurën, në goditjen e një organizate që merrej me trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës, kryesisht në Itali.
Prokuroria italiane e Brescia-s njoftoi se ishin lëshuar në total 61 urdhëra arresti, për anëtarët e organizatës që përbëhej kryesisht nga shqiptarë.
Mësohet se të paktën 43 shqiptarë janë arrestuar në Itali, ndërsa në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bëri të ditur se ka arrestuar dy pjestarë të tjeë të grupit.
Gjatë hetimit, i cili ka zgjatur 4 vjet, janë sekuestruar 360 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, të përllogaritura në vlerën prej 60 milion Euro cash.