Policia e Perugias zhvilloi një operacion në zonën e Massa Martana-s në Itali, teksa kapi një shqiptar 22-vjeçar në shoqërinë e një 27-vjeçari sllovak dhe një vendasi 23-vjeçar, duke transportuar rreth 14 kilogramë lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit fizik të dyshuarve iu gjetën edhe rreth 25 mijë euro cash, që dyshohen si origjinë e aktivitetit kriminal.
Karabinierët fillimisht vunë re gjatë shërbimit një mjet të dyshimtë në lëvizje afër Ternit. Për këtë arsye, policia ka vendosur të kryejë një kontroll më të thelluar dhe ka urdhëruar drejtuesin e mjetit të ndalojë, raporton “ANSA”.
I dyshuari tentoi të arratisej, duke përplasur makinën e policisë dhe lënduar dy nga efektivët në operacion, të cilët iu shmangën goditjes fatale.
Gjatë ndjekjes, mjeti i autorëve u bllokua dhe në kontrollin poshtë sediljeve, në një pjesë fundore të improvizuar posaçërisht si dhomë e fshehtë, u gjetën të fshehura rreth 6 kg hashash të paketuara.
Kontrolli u shtri edhe në banesa, ku u zbuluan 7 kg lëndë e ngurtë që rezultoi po hashash dhe gjysmë kilogrami marijuanë, si dhe 25000 euro cash.
Të tre të rinjtë u arrestuan për veprën penale të posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikim, kurse emrat e tyre nuk u publikuan për shkak të hetimeve, pasi dyshohet se janë pjesë e një organizate kriminale narkotrafiku.
Të dyshuarit janë izoluar në Burgun e Spoletos nga Prokuroria, në pritje të masës në Gjykatë, teksa një akuzë e re do jetë edhe ajo e “dëmtimit, plagosjes dhe rezistencës ndaj një zyrtari publik”.