Në Montreal

Diaspora

Në Montreal

Nga: Ilir Ikonomi Më: 9 tetor 2024 Në ora: 16:07
Ilir Ikonomi

Kthehem në Uashington pas disa ditëve të mrekullueshme që kalova në Montreal të Kanadasë me komunitetin shqiptar.

Gjeta shqiptarë të kulturuar dhe dinjitozë, që e kanë ndërtuar jetën me punë të palodhur, që zbatojnë me dëshirë ligjet dhe nuk i mbajnë sytë nga qielli për të pritur se ç'do t'u sjellë fati. Përshtypja ime ishte se njerëzit ndiheshin të respektuar e të trajtuar me drejtësi, në bisedat e përditshme ndjeje shumë pozitivizëm, asnjë frymë ankese apo cinizmi.

Folëm për librat, për historinë, për të shkuarën dhe të tashmen. Si na ndihmon njohja e historisë? Ç'mësime nxjerrim prej saj? Përse na ndihmon studimi i Fan Nolit dhe i figurave të tjera? Sa vlerë ka edukimi i fëmijëve të diasporës me gjuhën dhe kulturën amtare? Këto ishin vetëm disa nga gjërat që diskutuam të dielën në Bibliotekën e Madhe të Montrealit (BAnQ), ku kaluam disa orë.

Më bëri përshtypje se sa shumë pyetje pati gjatë diskutimit, pas shfaqjes së një dokumentari për Fan Nolin. Besoj se kjo ka lidhje me mënyrën e të menduarit analitik dhe me cilësinë e lartë kulturore të këtij komuniteti që lexon. Njerëzit pyesnin pa komplekse, me dëshirën e sinqertë për të mësuar diçka të re.

Edhe pse jo të gjithë e kishin lexuar librin Fan Noli - Apostulli, kishte një kërshëri të natyrshme për të ditur se si i zgjidhnin problemet shqiptarët e diasporës 100 vjet më parë dhe për të bërë krahasime me të sotmen. Më pyetën edhe për librin e ri në serinë e biografisë së Fan Nolit që do të nxjerr së shpejti.

Montreali është kryesisht frengjishtfolës dhe më afër stilit evropian. Është i pastër dhe pa zhurma të panevojshme. S'ka nevojë ta them se qytetari ndihet i respektuar. Është vend i gjelbëruar, ka pyje, lumenj dhe liqene. Vërtet dimri është i ftohtë, por cilësia e jetës është e mirë, mjafton të duash dhe të dish të punosh.

Blerina Ruka e portalit Albanian Montreal Press dhe Ermir Dardha nga Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal-Albanian Cultural Association Montreal, që ishin edhe mikpritësit e mi, patën mirësinë të më tregojnë qytetin. Bëra miq të tjerë të mirë, si Glen Kasneci, Anila Hasko Kurti dhe Korab Xharra. Kur u ndamë, mu duk sikur i njihja prej kohësh.

Marsel Fregjaj, me shumë bujari, më dhuroi një vizatim që kishte bërë posaçërisht meqë unë do të shkoja në Montreal. Çfarë privilegji për mua!

Kjo ishte vizita e dytë në Kanada, pas një promovimi në Toronto, ku gjeta një komunitet po aq kompakt dhe të interesuar.

Kur je i rrethuar nga njerëz të mirë, bëhesh vetë më i mirë në shpirt. Në rastin tim, kjo më përmirëson edhe në kuptimin e cilësisë së asaj që do të shkruaj në të ardhmen.

Prandaj bëji vetes një dhuratë, shko tako shqiptarët e Montrealit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat