Bota Sot ishte dhe është një gazetë kombëtare. Kjo gazetë ka sakrifikuar shumë për ta informuar publikun në mënyrë të drejtë, ashtu siç ndodhin gjërat në realitet. Më kujtohen vitet e para të luftës, kur në Bibliotekën e Alvestës në Suedi vinte gazeta Koha Ditore. Ajo shpesh përhapte dezinformata. Komandanti i Gollakut, Zahir Pajaziti, u vra në pritë në fund të dhjetorit të vitit 1997. Në Koha Ditore shkruhej se babai i Zahirit, Qerim Pajaziti, nuk e kishte pranuar Rugovën në shtëpi për ngushëllime.
Duke parë këto gënjeshtra të pasinqerta të Kohës Ditore, unë shkova te shefja e bibliotekës dhe i thashë: "A keni mundësi ta ndërroni këtë gazetë dhe të sillni një tjetër?" "Po", më tha ajo, "por më tregoni arsyen, pasi ka disa procedura dhe mund të marrë pak kohë." I thashë: "Gazeta Bota Sot ka gjëra të bukura për fëmijë." Kur ia thashë këtë, ajo u përgjigj: "S’ka problem!" Që nga ajo kohë, gazeta Bota Sot vinte çdo të dytën ditë në bibliotekën e Alvestës dhe shumë shkrime të mia i botonte ajo gazetë.
Më kujtohet ajo kohë kur vëllai im, Mehdi Zullufi, e pati rregulluar lejeqëndrimin. Unë ende nuk e kisha të rregulluar lejeqëndrimin. Mehdiu ia bëri vizën babait Behram Zullufi, dhe ai erdhi në Suedi, pasi nëna Zet’hane na kishte vdekur dhe babai kishte mbetur vetëm në shtëpi. Babai Behram Zullufi, në moshën 77 vjeçare, Zoti e pastë mëshiruar shpirtin e tij, vinte gjithmonë 15 minuta përpara se biblioteka të hapej, në ora 10:00 të mëngjesit. Unë i thoja: "Pse, baba, kaq herët po shkon në bibliotekë?" Ai përgjigjej: "Kënaqem me këtë gazetë. Zoti i ruajt këta djem që po e drejtojnë kaq mirë. Po e lexoj dhe po e heq mallin për Kosovën."
Babai, Zoti e mëshiroftë shpirtin e tij, vdiq më 3 mars 2013 në Alvestë. Varrimi i tij u bë në fshatin e lindjes, në Koliq, Komuna e Prishtinës, sepse shumë e kishte dashur atë tokë. Ai gjithmonë thoshte: "Ruajeni këtë tokë, mos e shitni, se dy herë e kanë blerë të parët tanë, sepse ashtu i ka detyruar ai pushtues i poshtër, si muhaxhirë, nga muhaxheria e parë, nga fshati Ratkocër i Kosovës Lindore."